Lezhë: Komuniteti rom dhe egjiptian, protestë për energjinë elektrike
Komuniteti rom dhe ai egjiptian në Lezhë, protestuan sot para Bashkisë së qytetit për mungesën e energjisë elektrike. Ata kërkuan rikthimin e energjisë pasi janë me probleme të shumta jo vetëm ekonomike, por edhe shëndetësore. Pjesa dërmuese e familjeve rome jetojnë me ndihmë sociale dhe në varfëri, ndaj kërkojnë ndihmë nga qeveria. Ata thonë se nuk kanë mundësi për të paguar.
“Ne i bëjmë thirrje kryeministrit që ta kuptojë se kurrë më parë një kryeministër, i majtë apo i djathtë, ka lënë në errësirë komunitetin rom dhe atë egjiptian këtu në Lezhë”, – u shpreh Rauf Selimi.
“Sot është dita e katërt pa energji. Ne jemi me ndihmë ekonomike, nuk i përballojmë dot dritat. Edhe për bukë nuk na dalin”, – u ankua një protestues tjetër.
Kryetari i Bashkisë së Lezhës, Viktor Tushe doli nga zyra për t’i sqaruar vetë protestuesit.
“Unë do të kërkoj nga ministria që në skemën e ndihmës ekonomike të futet edhe kostoja e energjisë elektrike si subvencion, në mënyrë që ju ta paguani. Vetëm atëherë do të mund të jemi në rregull”, -deklaroi Tushe.
/TopChannel