Rreth 1 milionë qytetarë të Hong Kongut prej disa ditësh tashmë kanë mbushur rrugët e provincës autonome, për të mbrojtur pavarësinë institucionale dhe për të ndaluar masat e ndërmarra mbi ekstradimet nga qeveria e mbështetur nga Pekini.
Një vendim i qeverisë autonome për të ekstraduar personat e burgosur dhe për të lejuar gjykimin e tyre në Kinë, solli menjëherë reagime të shumta që mblodhën qytetarët ne sheshe për të kundërshtuar autoritetin e shtuar të Kinës në provincën e tyre autonome.
Drejtuesja e provincës Carrie Lam, u detyrua menjëherë të kërkojë falje publike dhe të pezullojë ligjin e miratuar, por pavarësisht tërheqjes së përkohshme të saj, protestat po vazhdojnë duke rikthyer notat e revoluconit të vitit 2014.
Tashmë protestuesit kërkojnë dorëheqjen e Lam, anullimin përfundimtar të ligjit të ekstradimeve dhe pastrimin e politikës nga figurat pro-Kinës, të cilët vënë në rrezik demokracinë që ekziston brenda provincës autonome, e cila nga ana e Kinës po përpiqet të përfshihet tërësisht nën autoritetin e Pekinit zyrtar.

Rreth 70 protestues janë plagosur nga autoritetet policore dhe qindra të tjerë janë arrestuar. Ndërkohë ditën e djeshme, aktivisti i burogsur Joshua Wong u lirua dhe ju bashkua protestuesve duke ekzaltuar dhe më shumë turmat që kërkojnë ndryshim e që arritën shifrën e 2 milionë protestuesve.
Wong u arrestua pas revolucionit të vitit 2014, ku miliona protestues kërkuan ndalimin e influencës kineze në zgjedhjet e provincës dhe reformë elektorale, duke shtuar dhe lëvizjet për pavarësinë e plotë të provincës. Edhe pse pa rezultat konkret, fryma pro-demokratike e vitit 2014 po vijon dhe në protestat e ditëve të fundit, që sa vinë e bëhen dhe më masive, duke rikthyer vëmendjen te e drejta e popujve të nënshtruar për tu vetëqeverisur. /k.j