Leksion nga Zelanda e Re për perëndimin

Sulmet ndaj xhamive të qytetit të Christchurch në Zelandën e Re patën një impakt të gjerë në opinionin mbarëkombëtar, jo vetëm për bilancin tragjik dhe makabritetin e sulmit, por dhe për mënyrën se si institucionet dhe udhëheqësit e shtetit të largët reaguan ndaj një sulmi të tillë.
Kryeministrja e vendit, Jacinda Ardern u kthye brenda pak orëve në një shembull për udhëheqësit përëndimor.
Ishte hera e parë pas gati 3 dekadash që në Zelandën e Re ndodhi një ngjarje e tillë dhe autoriteteve ju deshën vetëm 24 orë për të njoftuar ashpërsimin e ligjeve për armëmbajtjen dhe përdorimin e armëve nga qytetarët.
Në komunikimin e saj zyrtar kryeministrja Ardern u kujdes në përmendjen e detajeve mbi sulmin, duke mbajtur theksin te ashpërsia e ligjit, vendosja e drejtësisë dhe përkrahja e të gjitha komunitetëve në Zelandën e Re, pavarësisht dallimeve fetare, etnike apo statusit të tyre të qëndrimit.
Gjatë vizitës në Christchurch dhe takimit me familjarët e të prekurve u njoftua përkrahja ekonomike e familjeve të prekura për aq kohë sa do tu nevojitet mbështetje nga autoritetet. Mesazhi që jepej kudo ishte se Zelanda e Re është një vend i sigurt, mikpritës dhe se sulme të tilla tragjike nuk do të ndryshojnë qëndrimet dhe besimet e qytetarëve apo përkrahjen e tyre ndaj komuniteteve më të vogla në numër.
Seanca e djeshme parlamentare u shënua nga një fjalim i gjatë ku sërish theksi u vendos te drejtësia dhe solidariteti me viktimat.
Në një lëvizje të mirëmenduar, kryeministrja deklaroi se kurrë nuk do të përmendte emrin e terroristit i cili mori jetën e 50 personave dhe plagosi shumë të tjerë.
“Ai priste të përmendej dhe të bëhej i njohur nga akti i tij terrorist, për këtë arsye asnjëherë nuk do ta përmend emrin e tij” ka thënë Ardern në fjalimin e saj para Kuvendit të Zelandës së Re.
Ajo bëri thirrje për autoritetet për tu treguar të kujdesshëm në shpërndarjen e informacioneve mbi sulmin, ndërkohë që njoftoi dhe marrjen e masave ndaj atyre që do të shpërndajnë videon e sulmit apo manifestin e terroristit, për të cilët u propozua dhe një masë dënimi deri në 10 vite burg.
”Ju lutem, përmendi emrat e atyre që humbën jetën, para njeriut që i vrau ato. Ai është terrorist. Ai është kriminel. Ai është ekstremist. Sa herë të flas, ai do të jetë njeri pa emër”, ka thënë kryeministrja.
Ndërkohë njoftohet se gjatë një telefonate me Presidentin e Shteteve të Bashkuara Donald Trump, i cili retorikën e tij e mbështet pikërisht te promovimi i emigrantëve si burimi i shumë problematikave, në përgjigje të gatishmërisë së tij për të ndihmuar Zelandën e Re, kryeministrja Ardern ka kërkuar solidaritet me komunitetet muslimane kudo në botë.
Fjalimet e saj po kthehen në virale në rrjete sociale, duke treguar se udhëheqësit e vërtetë dallohen nga impakti i tyre në situata të vështira dhe nga mënyra si zgjedhin për të reaguar ndaj urrejtjes dhe akteve të tilla tragjike. /k.j