Legalizimi i martesës për çiftet e së njëjtës gjini ende tabu. Po bashkëjetesa?

Dhjetëra persona, anëtarë të komunitetit LGBT+ ose të identifikuar si heteroseksualë janë pro legalizimit të bashkëjetesës mes çifteve të së njëjtës gjini – një betejë ende e vështirë, por që duket se mund të fitohet.
Legalizimi i martesës për çiftet e së njëjtës gjini është ende një temë tabu në Shqipëri, ku debatet për respektimin e të drejtave të njeriut gjenerojnë shpeshherë sulme dhe gjuhë urrejtjeje ndaj komunitetit LGBT+. Po bashkëjetesa?
“Legjislacioni shqiptar e konsideron bashkëjetesën njësoj si martesën, si një bashkim mes një burri dhe një gruaje, por ky përcaktim është tejet kufizues dhe diskriminues për shumë çifte të tjera, të cilët legjislacioni shqiptar nuk i njeh dhe nuk u garanton asnjë të drejtë,” tha për Historia Ime Robert Gajda, Komisioner për Mbrojtjen nga Diskriminimi.
“Shoqëria shqiptare duhet të kuptojë që këto janë të drejta individuale dhe një shoqëri duhet të jetë gjithmonë e gëzuar që këto të drejta garantohen për të gjithë. Legalizimi i bashkëjetesës është gjë e mirë pasi në radhë të parë rregullon një gjë faktike,” shtoi më tej Gajda.
Përmes një pyetësori të publikuar përmes platformës ECR, Historia Ime pyeti dhjetëra anëtarë të komunitetit LGBT+ dhe qytetarë të ndryshëm në Shqipëri se çfarë mendojnë për legalizimin e bashkëjetesës mes çifteve të së njëjtës gjini.
Përgjigjet ishin unanime ku 100% e të anketuarve e konsideruan të rëndësishme legalizimin e bashkëjetesës edhe për çiftet e së njëjtës gjini dhe ishin dakord që kjo gjë të legalizohej.
Mes të anketuarve mbizotëron mosha 18 – 28 vjeç, nga profesione të fushave të ndryshme. Rreth 21% e të anektuarve e identifikuan veten si heteroseksualë, çka tregon se tema ka ngjallur interes jo vetëm te anëtarët e komunitetit LGBT+.
Përsa i përket pyetjes se pse është i rëndësishëm legalizimi i bashkëjetesës për ta, të anketuarit kanë dhënë larmishmëri përgjigjesh:
“Që të jetoja i lirë me të dashurin”.
“Duke qenë se bashkëjetesa ime në kontekst social është e deklaruar ajo çka më mungon është vetëm ta deklaroj në kontekst ligjor duke përfituar kështu benefitet që sjell njohja e saj”.
“Pse e deklarojnë heteroseksualët?”
“Nevoja për të qenë i lirë dhe vetvetja”.
“Unë nuk jam LGBT por jam shumë dakort në lirinë e individit dhe çdo njeri duhet të jetë rehat për të shprehur dashurinë e vet”.
Këto dhe përgjigje të tjera shpalosin pozitivitetin dhe shpresën e personave që kanë zgjedhur ti përgjigjen pyetësorit.
Megjithatë, kur vjen puna të pritshmëritë e reagimit të shoqërisë shqiptare në lidhje me legalizimin e bashkëjetesës për çiftet LGBT+ përgjigjet kryesisht janë të tilla që nxjerrin në pah homofobinë.
“Pjesa më e madhe do të kundërshtonte për shkak të vlerave të panegociueshme në të cilat ajo beson”; “Me mentalitetin që kanë shumë shqiptarë dhe frymëzimi nga brezat paraardhës që një marrëdhënie ndërmjet të njëjtit seks është e pështirë, nuk do të habitesha nëse do të fillonin të ngrinin zërin”, thotë një nga të anketuarit. Shifrat tregojnë se një pjesë e konsiderueshme e të anketuarve mendojnë se shoqëria shqiptare nuk do ta mirëpriste legalizimin e bashkëjetesës mes së njëjtës gjini.
Liria, mbrojtja ligjore, siguria, janë disa nga përgjigjet e të anketuarve se përse do ta deklaronin marrëdhënien e tyre, nëse do të ishte e mundur ligjërisht. Fakti që atyre do t’u garantoheshin disa të drejta, do të ishin të mbrojtur ligjërisht, i shtyn të pranojnë se nëse ligji për bashkëjetesën kalon ata nuk do të nguronin ta legjitimonin marrëdhënien e tyre. Por sigurisht që ka dhe nga ata që nuk do të donin ta legalizonin lidhjen e tyre (nëse do arrihej legalizimi i bashkëjetesës). Arsyet janë privatësia, sepse familja nuk do ta pranonte kurrë diçka të tillë, sepse në punë, shkollë, familje nuk do ta prisnin mirë këtë gjë, etj.
Komisioneri për Mbrojtjen nga Diskriminimi, Robert Gajda thotë se njohja dhe legalizimi i bashkëjetesës edhe për çiftet e së njëjtës gjini është në interes të shtetit dhe të individëve.
“Njohja ligjore e bashkëjetesës është edhe në interes të shtetit, pasi njeh dhe fut në procedura të ligjshme bashkëjetesën mes personave, por është dhe në të mirë të personave pasi gëzojnë mbrojtje ligjore, i garantohen disa të drejta që janë shumë të nevojshme e të domosdoshme,” tha ai.
Sipas komisionerit, legalizimi do të zgjidhte aspektet ligjore, sidomos të trashëgimisë, përkujdesjen për partnerin/en dhe disa mbrojtje ligjore shumë të nevojshme.
“Me siguri jo të gjithë mbrojtjen ligjore që ofron martesa, por gjithsesi do ta mbronte një çift. Nëse njëri nga partnerët ka fëmijë nga një lidhje e mëparshme, këta fëmijë do të njiheshin ligjërisht e do të gëzonin mbrojtje ligjore nëse prindi do të ishte në një bashkëjetesë të legalizuar,” shtoi ai.
Komisioneri shpjegoi gjithashtu se ndërsa martesa ka një ngarkesë historike dhe kulturore në shoqëri, bashkëjetesa është një institucion i ri në rendin juridik shqiptar, çka do të thotë se nuk ka ndonjë bazë tradicionale, kulturore, por është një e drejtë që i njihet qytetarëve që nuk duan të krijojnë familje në bazë rregullimit tradicional të martesës.
Edhe pse duket një “betejë” e vështirë dhe e gjatë, shanset për një fitore me legalizimin e bashkëjetesës janë të shumta.