Lajmi për zhdukjen e 1300 kontenierëve me mbetje në Shqipëri, çfarë po ndodh?
Sipas një investigimi të revistës italiane online “Pianeta Italia News”, mbi 1300 kontenierë me mbetje nga Italia dyshohet se janë zhdukur në Shqipëri.
Ato ishin pjesë e një sasie mbetjesh që kalonin tranzit nga Italia drejt Maqedonisë. Revista italiane shkruan se për këtë çështje ka nisur një hetim edhe në Shqipëri, por ky lajm u përgënjeshtrua pak ditë më parë nga Prokuroria e Përgjithshme.
Aleanca Kundër importit të plehrave i kërkon informacion prokurorisë dhe ministrive mbi mbetjet:
Aleanca kundër Importit të Plehrave iu drejtua sot prokurorisë për të kërkuar hetim në lidhje me lajmet për zhdukjen e 1300 kontenierëve me mbetje.
“Kërkojmë informacion nëse ka pasur tranzit kontenieresh me mbetjeje gjatë vitit 2014-2016. Cilat pika doganore janë përdorur për kalimin e mbetjeve?” ,thuhet në letrën e AKIP.
Ky grupim qytetar ka dërguar një letër ku i kërkohet informacion ministrit të Mjedisit Lefter Koka, ministrit të Financave Arben Ahmetaj si dhe kryeprokurorit Adriatik Llalla.
Veç kësaj kërkohet përgjigje nga Prokuroria e Përgjithshme nëse ka pasur informacion për kontenierët me mbetje në territorin shqiptar dhe nëse ka nisur proces hetimor për këtë çështje.
Reagon Drejtoria e Përgjithshme e Doganave: “1120 tranzite gjatë 2016, kryesisht produkte ushqimore”
Lidhur më këtë çështje më herët reagoi dhe Drejtoria e Përgjithshme e Doganave. Kjo e fundit theksoi se për vitin 2016 nga Porti i Durrësit janë tranzituar drejt Maqedonisë, nëpërmjet Degës Doganore ‘Qafë Thanë’, 1120 tranzite ndërkombëtare me kontejnerë, kryesisht produkte ushqimore.
Të dhënat e ministrisë së Mjedisit: “Asnjë autorizim me destinacion final Maqedoninë:
Në përgjigje të kërkesës së Aleancës Kundër Importit të Plehrave, Ministria e Mjedisit bëri publike autorizimet me mbetje jo të rrezikshme për tranzit në vendin tonë.
”Asnjë autorizim me destinacion final Maqedoninë në 2016”, është konkluzioni i këtyre të dhënave. Në përgjigjen e Ministrisë së Mjedisit thuhet se nuk ka asnjë proces administrativ për humbje kontenierësh gjatë vitit 2016.
Prokuroria e Durrësit nis hetimet:
Megjithatë, prokuroria e Durrësit ka nisur hetimet pas lajmit të publikuar nga portali italian ku ngrihen dyshime mbi 1300 kontejnerë me mbetje që mund të kenë përfunduar në Shqipëri. Verifikimet nga organi i akuzës kanë nisur ditën e djeshme.
Artikulli i “Pianeta Italia” pretendon se 1300 kontejnerë me mbetje kanë hyrë nga porti i Durrësit, gjë e cila pritet të sqarohet nga vetë ky autoritet nëse ka ndodhur ky shkarkim mbetjesh në port apo jo.
Çfarë thuhet në artikullin e gazetës italiane mbi çështjen e kontenierëve të zhdukur?
Në shkrimin e gazetarit italian Sergio di Stasio për gazetën “Roma” thuhet se kryetari i Komisionit hetimor parlamentar mbi veprimtaritë e paligjshme, që lidhen me plehrat, Alessandro Bratti, pohon se ka një hetim në zhvillim të plotë, për trafikun ndërkufitar të plehrave.
Shkrimi vazhdon më tej, duke shtuar se diplomacia shqiptare është vënë në lëvizje për të mbyllur lajmet mbi atë që e quan “Skandali Plehra Connection”.
“ E përse gjithë ky shqetësim?”- pyet gazetari di Stasio në mbyllje të artikullit.
/l.k./