“Kupa e Barazisë” – Turneu i parë kundër racizmit dhe diskriminimit
Miniturneu i futbollit që do të zhvillohet të dielën, më 28 qershor, në stadiumin e qytetit të Orikumit, do të jetë një turne ndryshe nga të tjerët.
Ky turne nuk do të ketë qëllimin kryesor atë të fitimit të një kupe apo të një trofeu sportiv dhe mbi te gjitha, jo të një vlere monetare në fund të tij, për ekipin fitues.
Aktiviteti zhvillohet për herë të pare, por ka synimin që të bëhet një aktivitet i përvitshëm, të paktën kështu e mendojnë organizatorët e tij.
Në këtë rast futbolli është vetëm “sebepi” për t’u mbledhur njerëzit së bashku, ndërsa qëllimi është që të promovohen marrëdhëniet njerëzore të barazisë midis njerëzve dhe të mos diskriminimit në çdo fushë të jetës, ashtu edhe në sport .
Gjithçka do të zhvillohet brenda një pasditje, me datën 28 qershor 2015 duke filluar nga ora 16:00 në stadiumin e qytetit të Orikumit, qytet që tashmë edhe zyrtarisht, bën pjesë në Bashkinë e madhe të Vlorës.
Një aktivitet kulturor dhe shoqëror pa harruar aspektin sportiv i organizuar nga “Albania Viaggi”, një agjenci turistike e bazuar në Orikum, por që gjithmonë ka qenë aktive në promovimin social dhe Kulturor të Shqipërisë si brenda ashtu edhe jashtë shtetit në bashkëpunim me shoqatën “BFAKE”, një pikë referimi në këtë drejtim në qytetin e Leçes, në jug të Italisë, e përqëndruar pikërisht për integrimin shoqëror dhe luftën kundër racizmit.
Kjo shoqatë prej disa vitesh organizon aktivitete sportive si, “Calcio senza Confini” (Futboll pa kufij) dhe “No Racism Cup” (Kupa Kundër Racizmit), ku marrin pjesë kryesisht emigrantë që jetojnë në shtetin fqinj.
Në turne do të marrin pjesë tre skuadra futbolli “U.S. SPARTAK LECCE”, skuadër futbolli amatore e kategorisë së tretë, fituese e Kampionatit të F.I.G.C”, kampionat që ka si qëllim mbrojtjen e territorit dhe luftën kunder racizmit përmes futbollit popullor, skuadra e “FLAMURTARI” U19 Vlorë dhe natyrisht që do të jetë e pranishme edhe skuadra që përfaqëson të zotët e shtëpisë , “FK ORIKU”, të cilat do të perballen miqësisht duke promovuar pikërisht vlerat dhe idealet e sportit paqësor dhe respektin e ndërsjellëtë midis kulturave të ndryshme.
Miniturneut të futbollit pritet që t’i bashkohet festa e përbashkët që ka qëllim për të bërë më miqësorë dhe të hapur të pranishmit dhe për të krijuar shoqëri me njëri-tjetrin.
Ky event do të organizohet me kontributin e organizatorëve, por edhe të qytetarëve të Orikumit. Kushdo mund të sjellë një diçka për ta ndarë me të tjerët, ky është “shpirti” dhe lajtmotivi i kësaj veprimtarie. Organizatorja e këtij aktiviteti Florika Rodakaj, titullare e “Albania Viaggi” pret që sa më shumë njerëz të jenë të pranishëm në këtë aktivitet , që si qëllim kryesor nuk ka rezultatin sportiv në vetevete, por pikërisht promovimin e vlerave më të mira të miqësisë midis popujve, dhe sportin e pastër.
Florika Rodakaj, që është nga qyteti i Orikumit, por që tashmë prej vitesh jeton në Leçe, mendon se pikërisht në këtë mënyrë mund të promovohen vlerat që janë në Shqipëri për turistët e huaj dhe kryesisht ata italianë të bregut përballë në mënyrë të veçantë vlerat që ka gjiri i Vlorës që me hapjen e Sazanit dhe Karaburunit, për tu vizituar nga turistët , do të jetë një “tërheqje” e parezistushme turistike jo vetëm për turistët vendas, por edhe për ata të huaj në mënyrë të veçantë për turistët që vijnë pikërisht nga zona e Salentos dhe e Leçes në Itali, në bregun tjetër të Adriatikut.
Aktiviteti do të ketë edhe karakterin e tij turistik dhe të promovimit të vlerave të Orikumit dhe për këtë është menduar që në drejtim të këtij qyteti të vogël të dielën e ardhshme, në ditën tashmë të caktuar për turneun të udhëtojnë edhe një numër mbështetësish italianë, por edhe miq që do të vijnë nga Tirana, më një autobuz që do të mbledhë dashamirës të këtij aktiviteti për t’i trasportuar nga kryeqyteti në drejtim të Orikumit.
Sigurisht që janë të mirëseardhur edhe miq nga Vlora dhe zonat përreth, në mënyrë që ky aktivitet që zhvillohet për herë të parë, të mund të ketë një vazhdimësi, me qëllimin fisnik për të promovuar vlerat e vërteta të sportit, që e tejkalon atë të sportit profesionist, që natyrshëm ka shikushmërinë më të madhe.
/ATSH