Kthehet nga leja e lindjes, mëson se është pushuar nga puna
Vera Marku është mësuese prej 27 vitesh në shkollën 9-vjeçare të fshatit Domgjon, në Mirditë. Ose më saktë ishte, pasi drejtoresha e kësaj shkolle, e ka pushuar nga puna gjatë kohës që ishte me leje lindjeje.
Ajo thotë se është lajmëruar që është hequr nga puna vetëm ditën që është paraqitur për të rifilluar punë. “Unë kam marrë raportin e lindjes që prej nëntorit të vitit 2014. Pas një viti raport, duhej të rikthehesha në punë në muajin dhjetor të vitit 2015. Por kur u ktheva, vendi i punës ishte zënë”, ka thënë mësuesja në një intervistë për Panorama.
Vera shpjegon gjithashtu se nuk i kanë dhënë asnjë motivacion për lirimin nga puna. “Kam qenë me raport dhe s’më kanë dhënë asnjë shpjegim pse jam larguar nga puna. Vetëm më kanë thënë që të mos paraqitem më, pasi nuk ka vend pune”.
Vera është nënë e 8 fëmijëve dhe thotë se nuk ka asnjë të ardhur tjetër pasi edhe të shoqin ia kanë larguar nga puna.
“Unë jam me probleme shumë të mëdha ekonomike, pasi jam nënë e 8 fëmijëve. Një vit më parë, më kanë larguar edhe burrin nga puna tek OSHEE-ja dhe tani familja jonë nuk ka asnjë të ardhur. Nuk kam me se të jetoj se nuk kemi asnjë të ardhur tjetër. Kam për të mbajtur 8 fëmijë, të cilët i kam në shkollë. Kam vajzën në shkollë të lartë me nota shumë të mira, por ajo është e detyruar që ta ndërpresë shkollën, pasi nuk kemi mundësi financiare”.
Znj. Vera ka thënë se do të vazhdojë të kërkojë të drejtën e saj derisa ta rikthejnë në punë, pasi e kanë larguar padrejtësisht. “Mua duhet të më gjejnë vendin e punës se jam mes të katër rrugëve”, është shprehur ajo në intervistë.
/m.g
Burimi: Panorama.com.al