Kryeministri maqedonas akuzohet për përgjime në masë
Raporton per BIRN, Sinisa Jakov Marusic
Politikanët e lartë, liderët e opozitës, aktivistët e OJQ-ve, gazetarët, biznesmenët, akademikët e lartë, liderët fetarë dhe anëtarët e gjyqësorit kanë qenë subjekt i një survejimi të gjerë të urdhëruar nga kryeministri Nikola Gruevski dhe shefi i policisë sekrete Saso Mijalkov, pretendoi të hënën partia opozitare Social Demokrate, SDSM.
“Të gjithë njerëzit e rëndësishëm të shoqërisë përveç Nikola Gruevskit dhe Saso Mijalkov janë përgjuar. Kjo e bën të qartë se kush e ka bërë. Kemi shumë materiale që e provojnë këtë. Ky është një lajm i keq për Maqedoninë,” tha lideri i SDSM, Zoran Zaev në një konferencë për shtyp.
Sipas Zaev, kryeministri ka marrë raporte të përditshme mbi kundërshtarët e tij politikë të përgatitura nga shërbimet sekrete.
Zaev thotë se ai ka qenë shënjestër për të paktën pesë vite, ndonëse ligjërisht, periudha më e gjatë në të cilën një person mund të përgjohet me miratim të një gjykatësi është 14 muaj. Opozita paraqiti materiale audio që thuhet se ishim biseda të Zaev me kolegët e partisë, si dhe një telefonatë private me vajzën e tij të vogël.
Edhe bashkëpunëtorët më të ngushtë politikë të Gruevskit nuk janë kursyer, pretendoi opozita. Një bisedë private telefonike midis asaj që thuhet se është ministrja e policisë, Gordana Jankuloska dhe ministrit të financës Zoran Stavreski u transmetua në konferencën për shtyp. Biseda duket se tregon se autoritetet VMRO DPMNE janë në krye të punësimeve në shtet. Në pjesën tjetër të bisedës, të dy ofendojnë bashkëpunëtorët e partisë së tyre dhe liderët e opozitës.
Opozita ka paraqitur gjithashtu ato që i quan biseda të përgjuara midis kreut të partisë qeverisëse Bashkimi Demokratik për Integrim, BDI, Ali Ahmeti dhe liderit etnik shqiptar të opozitës, Menduh Thaci dhe të tjerë.
Zaev la të kuptohej se edhe presidenti Gjorge Ivanov, që ishte kandidat i partisë qeverisëse të Gruevskit VMRO DPMNE, ishte mes atyre që ishin përgjuar në mënyrë sekrete.
Lideri i opozitës SDSM në Maqedoni në konferencën për shtyp. Foto: Sinisa Jakov Marusic
Lideri i opozitës SDSM në Maqedoni në konferencën për shtyp. Foto: Sinisa Jakov Marusic
“Do të publikohet çdo gjë. Ju lutem jini të durueshëm. Ne do të publikojmë gjithashtu materiale rreth akteve kriminale të kryera nga individë,” tha Zaev.
“Ky përgjim në shkallë masive është i pamundur pa pjesëmarrjen e Sigurimit të Shtetit, Byrosë të Kundër-Inteligjencës DBK [polici sekrete] dhe operatorëve celularë,” tha Zaev.
Ai tha se ‘njerëz guximtarë’ brenda shërbimeve të inteligjencës kishin ofruar material.
Gazetarët ishin të pranishëm në një total prej 11 bisedash telefonike të përgjuara. CD-të me materiale audio dhe skripte iu dorëzuan shtypit.
“Ky është vetëm fillimi,” tha Zaev, duke premtuar të bëjë publike më shumë materiale.
Në pritje të publikimit të lajmëruar të materialit të regjistruar, Gruevski akuzoi javën e shkuar Zaevin se ka bërë kërcënime kundër tij në mënyrë që të marrë pushtetin. Zaev dhe disa të tjerë u akuzuan për spiunazh dhe kërcënime ndaj zyrtarëve të lartë të shtetit. Pesë persona janë arrestuar deri më tani, dhe Zaev u urdhërua të dorëzojë pasaportën.
Lideri i opozitës hodhi poshtë edhe të martën pretendimet e qeverisë se materialet konfidenciale u morën nga një shërbim i huaj sekret. “Ata pretendojnë se shërbimet e huaja fshihen pas kësaj dhe ende vazhdojnë të kapin njerëz nga policia jonë,” tha Zaev në konferencën për shtyp.
Javën e shkuar, prokuroria e shtetit i kërkoi medias të mos publikojë asnjë material në lidhje me çështjen, që mund të vijë nga opozita, sepse në të ardhmen mund të klasifikohet si pjesë e hetimit kriminal të Zaev.
Gruevski, që ka qenë në pushtet që nga 2006, ka këmbëngulur se Zaev është një spiun i huaj, por nuk ka thënë se për cilin vend akuzohet se ka punuar.