Kryebashkiaku i Venecias: Kush bërtet “Allahu Akbar” do qëllohet me armë
Kryetari i djathtë i Bashkisë së Venecias, Luigi Brugnaro, deklaroi se nëse dikush dëgjohet duke thirrur “Allahu Akbar” në sheshin San Marco do të qëllohet me armë.
Kjo deklaratë u dha gjatë një konference në Rimini, ku Brugnaro tha se Venecia është qytet më i sigurt e më vigjilent se Barcelona.
“Ndryshe nga Barcelona, ku nuk ka masa sigurie, ne jemi vigjilentë. Nëse dikush shkon në sheshin San Marco duke bërtitur “Allahu Akbar”, ne do ta neutralizojmë. Një vit më parë thashë pas katër hapash, tani them pas tre. Po e them italisht: “Ghe Sparemo”- tha kryetari i djathtë i qytetit. Ai iu referua arrestimit në mars të katër të dyshuarve xhihadistëve që planifikonin të hidhnin në erë Urën Rialto.
“Mendonin se do shkonin tek Allahu. Por ne do t’i dërgojmë direkt tek ai para se të shkaktojnë dëme”-shtoi kryebashkiaku i Venecias.
Reagimi i kryebashkiakut të Firences , video duke thirrur “Allahu Akbar”
Dario Nardella gjatë takimit në Rimini ka vrapuar drejt Burgnaros duke thirrur “Allahu Akbar”, veprim i cili hasi menjëherë shumë polemika dhe kundërshtime në rrjetet sociale. Kryebashkiaku i Firences ka kërkuar menjëherë falje përmes llogarisë së tij në Facebook, duke thënë se nuk kishte për qëllim të ofendonte komunitetin mysliman.
/l.k./