Krujë/ Iu refuzua e drejta për ujë të pijshëm, komuniteti rom fiton mbi rastin e diskriminimit
Disa anëtarë nga komunitetit rom, që janë bërë pjesë e një rasti flagrant diskriminimi institucional, ka denoncuar pranë Komisionerit për Mbrojtjen nga Diskriminimi bashkinë vendore të Krujës. Ky denoncim ka ardhur si pasojë e diskriminimit të shfaqur nga Bashkia e Krujës ndaj familjeve rome në zonën që njihet si lagjia “Kastriot”. Diskriminimi është bërë mbi bazën e etnisë dhe statusit ekonomiko-social, duke iu refuzuar të drejtën e furnzimit me ujë të pijshëm familjeve rome në këtë zonë.
Rasti është ndërmjetësuar përmes Komitetit Shqiptar të Helsinkit (KSHH) si dhe prej Qendrës Europiane për të Drejtat e Romëve (ERRC) të cilët mundësuan dhe provat për ti dërguar pranë Komisionerit. Tashmë Bashkia e Krujës ka marrë urdhërin nga Komisioneri për të marrë masa për përmirësimin e situatës ose përndryshe ky institucion do të ballafaqohet me gjobitje.
Sa i përket rastit në fjalë, kompania e ujësjellës-kanalizimeve përgjegjëse, për furnizimin me ujë në bashki, tregoi se linjat e furnizimit me ujë arrijnë deri tek komuniteti rom, por nuk është shpreur interes nga askush për pikat e lidhjes.
“Ky vendim është një hap i rëndësishëm drejt njohjes dhe kapërcimit të diskriminimit institucional me të cilin romët përballen në Shqipëri. Do të monitorojmë veprimet e bashkisë me kujdes gjatë 30 ditëve të ardhshme për t’u siguruar që do të ndërmarrin masa urgjente për të siguruar ujë të pastër.” është shprehur Rovena Vuksani nga KSHH./k.m/
Burimi: Komiteti Shqiptar i Helsinkit