Kriteret e reja në ligjin për pensionet që diskriminojnë invalidët
Viti 2016 ishte i pari në 2 dekadat e fundit ku numri i personave që përfitojnë pension invaliditeti u ul. Janë të shumtë personat që vuajnë nga dëmtime apo sëmundje të rënda dhe nuk e përfitojnë këtë pension. Personat që marrin pensionin e invaliditetit dolën në protestë pak muaj më parë, pasi pensionet nuk janë rritur që prej vitit 2009 ndërsa ata që kërkojnë ta përfitojnë këtë status tani po refuzohen vazhdimisht nga Komisionet Mjekësorë për Caktimin e Aftësive për Punë.
“Ligji që diskriminon invalidët”:
Shkak për këtë është bërë një ligj që ka hyrë në fuqi në fillim të 2015, i cili ka vendosur kritere të reja që penalizojnë invalidët. Specialisti Fadil Kepi, ka renditur këto dy kritere që bëjnë pjesë në këtë ligji që diskriminues:
- Kushti i parë është që në 5 vitet e fundit para se të kërkojë të drejtën për pension, i sëmuri duhet të ketë qenë të paktën 1 vit i siguruar!
Ky kriter përjashton edhe ata persona që mund të kenë paguar 10,20,30 vjet kontribute për pension gjatë jetës së tyre, por që nuk kanë 12 muaj të siguruar në 5 vitet e fundit. - Kushti i dytë – Periudha e sigurimit llogaritet sipas kësaj formule: ¾ e diferencës së moshës së personit të paaftë për punë me moshën 20 vjeç. Pra një personi të sëmurë 50 vjeç i duhen 22.5 vjet punë i siguruar për të përfituar pensionin. (50 – 20)x ¾.
Me ligjin e ri, duhen 7.5 vjet pune më shumë për të përfituar pensionin:
Ligji i sigurimeve shoqërore që ka qenë në fuqi deri më 31.12.2014 i llogariste vitet e punës për pensionin sipas kësaj formule: Mosha e të sëmurit minus 20 pjesëtuar me dy. Pra nëse marrim të njëjtin shembull si më sipër, (50-20) : 2, një personi 50 vjeç i kërkoheshin 15 vjet punë për të përfituar pensionin e plotë.
“Më 10 gusht 2017 u mbushën 70 vjet nga krijimi i sigurimeve shoqërore si institucion i veçantë dhe asnjëherë nuk ka pasur ligj më diskriminues për pensionet e invaliditetit se sa ai i miratuar në fund të korrikut 2014@, ka thënë specialist Fadil Kepi në emisionin “Koha për tu zgjuar”.
/l.k./