Krimi i organizuar dhe mafia rrezikojnë të ardhmen e Shqipërisë në BE

Parlamenti i Holandës votoi pro propozimit për heqjen e vizave me Shqipërinë për shkak të kriminalitetit të shtuar shqiptar në këtë shtet.
Ishin 5 parti që propozuan më 11 Prill mocionin e votuar sot me shumicë votash, 108 vota pro dhe 42 kundër kthimit të regjimit të vizave. Sipas tyre heqja e regjimit të vizave, ka përkeqësuar situatën duke sjell një shtim të kriminalitetit dhe aktivitetit të paligshëm mafioz në vend me origjinë nga Shqipëria.
“Pas diskutimeve të shumta, duke vënë në dukje se: ka pasur një rritje të ndjeshme të aktiviteteve kriminale nga mafia shqiptare në Holandë; ndërsa këto organizata kriminale keqpërdorin mundësinë për të udhëtuar pa viza përmes Evropës dhe të zgjerojnë më tej rrjetin e kontrabandës, i kërkojmë qeverisë të paraqesë kërkesën në Komisionin Evropian për të filluar procedurën e frenimit emergjent të lëvizjes pa viza për Shqipërinë”, thuhet në njoftimin zyrtar të Parlamentit holandez.
Propozimi i parlamentit i është depozituar tashmë qeverisë holandeze. Në një prononcim të para disa ditëve, ministri i jashtëm holandez Stef Blok, deklaroi se Shqipëria i plotëson të gjitha kushtet për liberalizimin dhe vendimi i parlamentit nuk ka baza të forta për tu konsideruar dhe nga shtetet anëtare të BE.
Ndërkohë situata e krijuar prej krimit të organizuar është adresuar ditën e djeshme dhe nga Europol, në një konferencë të udhëhequr nga agjencia e anti-mafias italiane mbi gjendjen e sigurisë në Bashkimin Evropian.
“Grupet mafioze italiane, shqiptarët e evropianët lindorë si dhe bandat motorike “të jashtëligjshme” janë “lojtarët” kryesorë të krimit në kontinent”, thanë zyrtarët e agjencisë së policisë të BE-së, Europol.
Zyrtarët thanë se krimi i organizuar ishte “në hije” vitet e fundit kur Europa u përball me një valë sulmesh terroriste dhe një krizë të madhe migracioni. /kj