Korçë, mungesa e metadonit po i rikthen ish-përdoruesit tek droga
80 persona që janë duke iu nënshtruar rehabilitimit ndaj varësisë nga droga në Korçë, prej 10 ditësh nuk marrin dozat e metadonit.
Të dhëna nga qendra “Aksion Plus”, tregojnë se situata problematike ka përfshirë gjithë vendin dhe se metadoni do të mungojë deri në muajin maj. Shkak për këtë është tenderi i Ministrisë së Shëndetësisë për blerjen e këtij medikamenti, raporton Shqiptarja.com.
“Sinqerisht po e them që kam pirë prapë. Kam pirë për arsye se nuk po marrim ilaçin. Jam i detyruar të marr drogë e të shkatërroj familjen, jam i detyruar të ngrihem në mëngjes e të dhunoj familjen dhe sipas kësaj pa ilaçin çdo gjë na faturohet ne, i jam rikthyer drogës tani”, tha për Shqiptarja.com një prej personave që trajtohet për varësinë nga droga.
Çfarë është metadoni?
Metadoni është një ilaç në formën e tabletave që përdoret prej vitesh si trajtim dhe kundërveprues ndaj varësinë nga heroina. Ky ilaç nuk krijon varësi dhe tretet në ujë duke u konsumuar nëpërmjet gojës, pa u injektuar në ndonjë pjesë të trupit.
/l.k./