Konferenca prezantuese e raportit vjetor kundër diskriminimit të komunitetit LGBT+ në Shqipëri

Ditën e sotme, u zhvillua konferenca në lidhje me prezantimin e raportit vjetor kundër diskriminimit të komunitetit LGBT+ në Shqipëri. Morën pjesë jo vetëm organizatat të cilat punojnë në përditshmëri me çështje të komunitetit LGBT+, por edhe aktorë të tjerë të shoqërisë civile të cilën bashkëpunojnë me profesionalizëm që anëtarë të komunitetit të kenë akses në shërbime publike dhe të trajtohen barazisht në shoqëri. Përfaqësues nga Aleanca LGBT, Streha dhe PRO LGBT, prezantuan gjetjet e raportit vjetor kundër diskriminimit të komunitetit LGBT+.
Xheni Karaj në emër të Aleancës Kundër Diskriminimit LGBT+, përmendi mjaft raste flagrante të diskriminimit dhe problematikave nga më të ndryshme, me të cilat përballen anëtarë të këtij komuniteti në Shqipëri. “Ajo që vihet re bazuar në shifrat e frekuentuesve të qendrës, është niveli i lartë i braktisjes së shkollës nga të rinj të komunitetit LGBTI. Bullizmi, tallja dhe dhuna në shkollë duket se janë arsyet kryesore që i detyrojnë ata të braktisin shkollën. Prej 734 persona të komunitetit që frekuentojnë qendrën e Aleancës Kundër Diskriminimit; të atyre që marrin shërbimin te platforma SOS, si dhe atyre që cilët janë treguar të gatshëm t’i përgjigjen pyetësorit online rezulton se: 3% prej tyre nuk kanë kryer shkollë; 6% prej tyre kanë përfunduar arsimin 9 – vjeçar; 41% prej tyre kanë përfunduar ose janë duke kryer arsimin e mesëm; 46 % prej tyre kanë përfunduar ose janë duke kryer arsimin e lartë, si dhe 4% prej tyre kanë përfunduar ose janë duke kryer arsimin pasuniversitar ”, nenvizoi me kujdes Xheni, teksa i referohej të dhënave nga raporti vjetor. Gjithashtu, ajo shtoi se përgjatë vitit 2018 është dokumentuar, se nga 3 raste të denoncimit të dhunës në polici, asnjë prej tyre nuk është marrë parasysh, çka tregon se vullneti i Policisë së Shtetit për të mbrojtur komunitetin LGBT+ në Shqipëri, lë ende për të dëshiruar, duke apeluar kështu për më shumë vëmendje dhe kujdes nga ky institucion.
Sakaq, pas prezantimit të saj, u çel sesioni i pyetjeve dhe komenteve për të pranishmit, ku më tej e mori fjalën dhe shefi i krimeve Vlorë, i cili u shpreh ndër të tjera: “A mund ta di sesi i identifikoni me shifra të sakta raportimet dhe nga i njihni ‘421’ persona të cilët janë ankuar për shërbimin…” , duke vazhduar të sqaronte se ai, si një person që e njeh mirë procedurën ligjore do të preferonte të bëheshin këto sqarime për të mos krijuar konfuzion apo “shpërndarje në lëndë”, siç preferoi ta quante ai vetë.
Xheni shpjegoi, se qindra anëtarë të komunitetit adresoheshin pranë Aleancës për ndihmë, pasi jo vetëm droja dhe frika i bënin që të mos shkonin në polici, por edhe mos trajtimi adekuat i tyre në ndjekje të denoncimeve të dhunës dhe kanosjeve me jetë vetëm për shkak të identitetit të tyre seksual. Për ta përforcuar përgjigjen e saj, fjalën e mori përfaqësuesja e zyrës së komisionerit kundër diskriminimit, Adriana Hala, e cila në emër të institucionit që përfaqësonte, deklaroi se edhe sipas vëzhgimeve të komisionerit kundër diskriminimit evidentohej se “në disa raste, në polici nuk regjistrohen as rastet e dhunës dhe as kanosjet, si të tilla ato as nuk merren në konsideratë si vepra penale”. Kësisoj Adriana, theksoi rëndësinë e policisë si institucion kyç në adresimin e çështjes së sigurisë së jetës. Më tej, fjalën e mori një tjetër përfaqësues nga Vlora, duke thënë se “duhet të diferencohet ankesa nga vepra penale”, për t’i shtuar kështu një ton edhe më të rëndë replikës.
Sakaq, debati u mënjanua me disa ndërhyrje të përfaqësuesve të huaj, të cilët ndodhen me “mision” në policinë e shtetit për të trajnuar stafet e punës, në lidhje me çështje të komunitetit LGBT+ dhe jo vetëm, duke i dhënë rëndësi menaxhimit dhe tejkalimit të sfidave bashkarisht, të të gjitha institucioneve, me qëllim fundor përmirësimin e jetës të atyre që kërkojnë ndihmë pranë tyre. Megjithatë, ky takim vijoi axhendën e tij me prezantimin e raportit me Strehën, ku Elvis Popaj përfaqësues i saj, u bazua në shërbimet e ofruara dhe sfidat e hasura gjatë vitit 2018, duke u ndalur si te burimet njerëzore ashtu dhe frekuentuesit e kësaj qendre rezidenciale.
Emiljano Kaziaj, më tej paraqiti në mënrë të detajuar monitorimin e gjuhës së urrejtjes gjatë vitit 2018 në median e shkruar. Ndër të tjera ai u sigurua të ndalej në faktin se “47% e e të gjithë artikujve të publikuar në median online, përmbajnë gjuhë të urrejtjes”. Gjithashtu, me rëndësi të veçantë, Emiljano përmendi se “gratë përbëjnë grupin më të madh të prekur nga gjuha e urrejtjes dhe diskriminimit njëkohëshisht në 35% të artikujve”, përfundoi ai.
Po ashtu, Kristina Voko nga rrjeti i gazetarëve BIRN në Shqipëri, u shpreh se krimi i urrejtjes nuk duhet të jetë vetëm rrethanë rënduese por vepër penale në legjislacionin shqiptar, “jemi në një moment të mirrë për ta sjellë këtë ndryshim, teksa tanimë është duke ndodhur rishikimi i Kodit Penal”, tha ajo.
Mes diskutimesh të tjera dhe sugjerimesh nga përfaqësues të organizatave nga qytete të ndryshme, për të rritur ndërgjegjësimin, por edhe për të përfocuar rrethet e tyre të bashkëpunimit në të ardhmen, konferenca shkoi drejt fundit. Me nota pozitive, u përgëzuan organizatorët për punën e bërë duke uruar suksese në Tirana Pride në 18 maj 2019.