Komuniteti Rom në Shkozë informohet për çështjet shëndetësore në programet e partive
Shoqata Together For Life organizoi një takim mes banorëve të komunitetit Rom në zonën e Shkozës dhe kandidatëve të partive politike në këtë zonë.
Ky takim u mbajt në kuadër të projektit “Përmirësimi i sistemit shëndetësor përmes një vote të informuar dhe edukimi i qytetarëve për programet elektorale shëndetësore” që ka për synim të informojë qytetarët në lidhje me çështjet shëndetësore në programet e partive politike.
Indrit Hoxha, kandidat për deputet në zonën e Shkozës, ndau me qytetarët pikat kryesore të programit shëndetësor që partia e tij përfaqëson.
“Shëndetësia është pjesa më e rëndësishme, atje nga duhet të fillohet gjithçka, prandaj dhe unë jam shumë i ndjeshëm lidhur me këtë aspekt. Ne duhet të punojmë të gjithë për të arritur standardin që meritojmë”, tha Hoxha.
Më tej qytetarët shprehën pakënaqësitë e tyre lidhur për probleme të ndryshme të lidhura me shëndetësinë.
“Ne jemi në vështirësi ekonomike. Asnjë nga familja ime nuk është në punë dhe e kemi të vështirë, sidomos në periudhën e dimrit kur virozat merren lehtësisht. Të kesh vështirësi ekonomike dhe të të duhet të paguash para për ilaçe është më e vështirë nga sa mund të duket. Duke parë situatën, e cila ka shumë kohë që ka mbetur po e njëjta, edhe për ne si banorë është e vështirë të kemi një ide të qartë se kë program të votojmë’, tha Adriana Kurti, banore e zonës së Shkozës, nënë e tre fëmijëve.
Artikulli i plotë: https://shendeti.com.al/tfl-perball-komunitetin-rom-me-kandidatet-politike/
/l.k./