Komuniteti Rom në gjendje rreziku për jetën, fëmijët po preken nga zgjebja, mungon uji i pijshëm dhe kanalizimiet
“Ne duam kanalizimin e ujërave të zeza, sepse nuk ka fare kanalizime. Ujërat e zeza derdhen në Lanë. Dikush ka tubat që i nxjerr deri në lumë, ndërsa nga krahu tjetër nuk kanë farë tualete, kanë vetëm gropa. Fëmijët i kemi pa larë, kanë rënë viktima të zgjebes”, shprehet një banore e Bregut të Lumit.
Gjendja e komunitetit Rom është vërtetë shqetësuese, në kushtet e temperaturave të larta rreziku nga epidemitë dhe mungesa e ujit të pijshëm e bën situatën emergjente.
Avokati i popullit, Igli Totozani gjatë një vizite tek banorët e komunitetit Rom në zonën e Bregut të Lumit dhe të Shkozës deklaroi se jeta e këtyre banorëve është në rrezik të vazhdueshëm.
““Romët janë njerëz të rrezikuar, jeta e të cilëve është seriozisht e rrezikuar. Jeta e tyre është në rrezik të vazhdueshëm nga epidemitë, nga aksidentet e sëmundjet e ndryshme. Edhe më emergjente është prania e gjarpërinjve, por edhe gropat septike të ujërave të zeza, që përbëjnë një shqetësim të pashmangshëm, që organet shtetërore duhet urgjentisht ta ndjekin, ashtu siç do ta ndjekim edhe ne, sepse në kushtet e vapës me temperatura 40 gradë Celsius do të jetë një gjendje emergjente”, tha Totozani.
E si të mos mjaftonin këto, prej më shumë se 3 muajsh këta banorë nuk po marrin as ndihmën ekonomike, që është i vetmi burim të ardhurash për ta.
“Ndihma ekonomike ka disa muaj që po vonohet dhe këtë do ta ndjekim si problem prioritar dhe emergjent. Në periudhë afatgjatë, mbeten të pazgjidhura çështje si strehimi, ndihma ekonomike, regjistrimi, transferimi i të dhënave personale nga një njësi administrative te një tjetër. Mbetet një problem i madh çështja e punësimit”, shtoi më tej avokati Igli Totozani.
/L.K