Përfaqësues nga Komuniteti Rom dhe Egjiptian, ditën e sotme kanë dorëzuar pranë Ministrisë së Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, peticionin e finalizuar prej dhjetra ditësh me firma të mbledhura në disa qytete si në Tiranë, Vlorë, Berat dhe Fier.
Janë mbledhur rreth 3200 firma, për të drejtuar në formë zyrtare kërkesën për zbatimin e nenit 95 të ligjit 43/2015, i cili parashikon rimbursimin e energjisë elektrike për familjet në nevojë, mirëpo mosmiratimi i një VKM-je e ka bërë ligjin jofunksional.
Pjesëtarë të komunitetit, të pranishëm në manifestimin përballë Ministrisë, janë shprehur se për ta është bërë e përballueshme jetesa dhe shlyerja e pagesave të energjisë elektrike, teksa nga shteti nuk u është siguruar asgjë. Një pjesë e mirë e komunitetit, nuk marrin as ndihmë të mjaftueshme për të mbijetuar, pa llogaritur nevojat e tjera minimale të paplotësuara.
Pas dorëzimit të peticionit, aktivistët e Komunitetit Rom dhe Egjiptian lexuan një komunikatë për mediat, ku shpjeguan odisenë e tyre për t’i bërë instancat shtetërore përgjegjëse për problemet e shtuara, me anë të moszbatimit të ligjit për rimbursimin e energjisë elektrike ndaj familjeve në nevojë .
Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë dhe Kryeministria, janë vënë në dijeni të peticionit dhe kanë marrë në formë zyrtare kërkesën. Aktivistët u shprehën të vendosur se nëse nuk do të marrin përgjigje zyrtare prej institucioneve, ata do ta përshkallëzojnë veprimtarinë në protesta deri në zgjidhje të situatës së vështirë dhe të padrejtë, në të cilën gjenden.