Komiteti Shqiptar i Helsinkit: Të burgosurve i mohoet shërbimi shëndetësor
Në një njoftim për mediat, Komiteti Shqiptar i Helsinkit, ka njoftuar për ndjekjen e një çështjeje në gjykatë, lidhur me mbrojtjen e të Drejtës për mos u trajtuar në mënyrë mizore, çnjerëzore, poshtëruese, ose denigruese, sanksionuar nga neni 25 i Kushtetutës dhe neni 3 i Konventes Evropiane për të Drejtat e Njeriut, të cilën vendi ynë e ka ratifikuar.
Komiteti Shqiptar i Helsinkit përfaqësoi në gjykim, një ankesë lidhur me trajtimin çnjerëzor e degradues të një shtetasi me liri të kufizuar. Shtetasi F.Z. që po vuan dënimin me burg, është në gjendje jo të mirë shëndetësore dhe ka nevojë për një ndërhyrje kirurgjikale dhe mjekime të tjera specifike, të cilat i kanë munguar prej një kohe të gjatë.
Kjo çështje përfaqëson rastin e parë që një shtetas kërkon, drejtpërsëdrejti, pranë gjykatës së shkallës së parë, mbrojtjen e të drejtës për të mos u trajtuar çnjerëzisht e në mënyrë degraduese.
Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve, sipas legjislacionit tonë, është organi përgjegjës që ka për detyrë të sigurojë, me shpenzimet e shtetit, jetesën normale të personave të dënuar me burgim, si dhe mjekimin e tyre të përshtatshëm dhe pa diskriminim, sa herë që është e nevojshme për ta. Duke u nisur nga rasti në fjalë, ky instituacion ka dështuar që t’i mundësojë atij mjekimin e domosdoshëm dhe e ka trajtuar ankuesin vetëm me fizioterapi dhe analgjazikë e antiinflamatorë.
Si rezultat, Komiteti Shqiptar i Helsinkit thotë se ankuesit i janë shkaktuar rëndim i gjendjes shëndetësore, rrezik për jetën, dhimbje të rënda e të vazhdueshme.
Sipas njoftimit për shtyp, KShH shkruan se e përzgjodhi dhe e ndoqi këtë çështje, jo vetëm sepse është e rëndësishme, për shkak të nevojës urgjente për mbrojtjen e jetës dhe shëndetit të këtij personi, por dhe për faktin se në vendin tonë shtetasit e përdorin shumë pak të drejtën për të kërkuar, në rrugë gjyqësore, ndërprerjen e cenimit të lirive dhe të drejtave të tyre.
Duke vlerësuar provat e KShH, Gjykata e Krujës, e ka pranuar kërkesën dhe ka vendosur “garantimin e shërbimit të përshtatshëm mjekësor nga Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve dhe IEVP Krujë dhe ndërprerjen e trajtimit çnjerëzor e degradues si rezultat i mungesës së këtij trajtimi. …”