Këshilli Kombëtar për Personat me Aftësi të Kufizuar: Të plotësohen të drejtat e tyre
Këshilli Kombëtar për Personat me Aftësi të Kufizuara, është mbledhur sot për t’i bërë apel institucioneve shtetërore të plotësojë të drejtat që rrjedhin nga konventat ndërkombëtare për PAK.
Në këtë takim ka qenë i pranishëm edhe ministri i Mirëqënies Sociale, Blendi Klosi, i cili ka thënë se është hartuar projektvendimi “Për mënjanimin e pengesave mjedisore dhe infrastrukturore në ofrimin e shërbimeve publike”, që pritet të miratohet së shpejti.
Gjithashtu Klosi ka prezantuar edhe dy projekte që sipas tij, kanë për qëllim përfshirjen dhe mbrojtjen për periudhën 2016 – 2020.
“Në kuadër të zbatimit të Konventës, – tha ministri, – ka filluar procesi i reformimit të sistemit të vlerësimit të aftësisë së kufizuar, që synon orientimin e vlerësimit nga modeli mjekësor drejt atij biopsiko-social, bazuar në standardet e Organizatës Botërore të Shëndetit.
Përsa i përket punësimit, Klosi tha se këtë vit ka filluar të zbatohet një program i veçantë për nxitjen e punësimit të personave me aftësi të kufizuara, ku zyra e Punës financon për punësimin e tyre për një periudhë 1-vjeçare.
Gjithashtu në këtë takim, zëvendësministrja Kospiri bëri prezantimin e draftit të planit të veprimit për aftësinë e kufizuar për periudhën 2016-2020. Ajo tha se “Qëllimi i këtij plani është që të nxisë përfshirjen e personave me aftësi të kufizuara në shoqërinë shqiptare, të parandalojë diskriminim dhe të eliminojë barrierat për të pasur akses në shërbimet dhe të drejtat e tyre”.
/m.g