Kandidatura historike e një Palestinezi në zgjedhjet lokale në Jeruzalem

Ramazan Dabash është një nga kandidatët e shumtë që marrin pjesë në zgjedhjet lokale në Izrael. Ai kandidon për në Këshillin Bashkiak të Jeruzalemit, qyteti i cili kohët e fundit rindezi tensionet në Lindjen e Mesme, dhe është i pari palestinez që kandidon për një pozicion politik në Izrael.
Ai është lodhur duke pritur për zgjidhjen e konfliktit dhe ideja se feja dhe politika do të sjellë një zgjidhje afatgjatë, ka pak ndikim tek Dabash, një musliman konservator i cili vjen nga fusha akademike. Ai është një doktor shkencash në Inxhinieri dhe një zë kritik ndaj politikës së të dy vendeve.
“Unë jam duke u përpjekur për të bërë histori këtu,” deklaron ai për CNN. Dabash po kandidon për një vend në mesin e 31 vendeve të Këshillit Bashkiak të Jerusalemit. Nëse partia e tij, e quajtur ”Jerusalem al-Baladi”, që do të thotë “Jeruzalemi – Shtëpia jonë”, fiton vende, Dabash do të jetë përfaqësuesi i parë palestinez në qeverisjen lokale të Izraelit.
“Izraelitët vazhdojnë të flasin për një Jerusalem të bashkuar, por jo një buxhet të bashkuar në të mirë të qytetarëve,” thotë Dabashi. “Kjo është arsyeja pse vendosa të merrja përgjegjësinë për të ndihmuar njerëzit e mi”.
Dabash është lindur në Jerusalem dhe rritur në lagjen e Sur Baher, një komunitet palestinez pak kilometra në jug të Qytetit të Vjetër. Ai ka katër gra dhe 12 fëmijë, pavarësisht nga ligjet izraelite nuk e lejojnë poligaminë. Ai flet rrjedhshëm arabisht dhe hebraisht, dhe ka qenë dikur anëtar i partisë së krahut të djathtë Likud, e udhëhequr nga kryeministri aktual izraelit Benjamin Netanjahu. Kjo e kthen atë në një rast unik në politikën e Izraelit./k.j
Burimi: CNN