Ish-drejtoresha e Arkivit të Shtetit: “Ka dokumenta për përdhunimin e femrave në komunizëm”
Historiania dhe ish-drejtoresha e Arkivit të Shtetit, Nevila Kika, thotë se “Ka dokumente që faktojnë përdhunimin e femrave në burgjet e diktaturës”.
Sipas saj, në kohën e diktaturës, gratë në biruca edhe janë përdhunuar, edhe pse shton se ‘jo gjithcka faktohet, pasi askush nuk ishte i interesuar të linte gjurmë”.
Debatit nëse janë përdhunuar apo jo femrat në periudhën e komunizmit nëpër burgje, të hapur pas prononcimit të këngetares Alida Hisku se ishte përdhunuar nga hetuesit, i bashkohet edhe mendimi i historians Nevila Kika. Për denoncimin e këngëtares Alida Hisku, Nika thekson se “Alida Hisku tha të vërtetën!”.
“Ka kaluar gati një çerek shekulli nga rënia e regjimit dhe shumë pak është folur për fatin e gruas shqiptare në atë periudhë. Znj. Hisku ka treguar të vërtetën! Përdorimi i torturave nga më të ndryshmet ka qenë norme si për gratë ashtu edhe për burrat”, thotë zonja Kika.
Ajo shpehet gjithashtu se format kryesore të presionit që ushtroheshin ndaj të burgosurve politikë kanë qenë familja, të afërmit dhe të dashurit e personit të arrestuar. E njejta gjë ndodhte edhe me familjaret jashtë mureve të burgut e kampit. Frika injektohej në të gjitha variantet, dëbimi, internimi, largimi nga puna, shkolla etj etj.
Përsa i përket fakteve dhe dokumentave që ekzistojnë për ta provuar këtë gjë, Kika thotë se ka, por jo për të gjitha rastet sepse askush nuk ishte i interesuar të linte gjurme.
“Në këto kushte jemi para faktit se vetëm dëshmitë e të mbijetuarve të atij ferri janë dëshmi e gjallë e të pakundërshtueshme. Unë, kam punuar për shume vite në Arkivin Qendror Shtetëror (tek Burgu i Sigurisë së Lartë) dhe ende sot kujtoj me dhimbje ulërimat e një gruaje që vinin nga burgu i Tiranës”, shpehet ajo. /m.g
Burimi: Panorama.com.al