Intervista tronditëse e Zamira Durdës (VIDEO)
Ka një perceptim publik që banorët e Gërdecit bënë një kompromis të ulët. Janë jo të paktë ata që mendojnë se ata bënë tregti me fatkeqësinë e tyre, me jetët e fëmijëve dhe familjarëve. A është kështu? Ndoshta po, për shumë prej tyre. Por jo për Zamirën.
Disa bënë kompromis me vrasësit e tyre të joshur nga paratë. Të tjerë vranë veten pas kushedi çfarë dramash personale, me të cilat askush nuk u mor. Zamira Durda as u dorëzua, as bëri kompromis me vrasësit, as vrau veten.
“Zoti më dha forcë dhe mjekja ilaçe për të vazhduar. Djali im sot do ishte 15 vjeç”, thotë ajo.
Zamira vijon një betejë në të cilën ka fare pak aleatë. Të tjerët ndoshta duan të harrojnë. Ajo bën mirë të mos harrojë në emër të të gjithëve. Dhe duket e ka kuptuar këtë. Vijon betejën e saj në Gjykatën Administrative dhe në Strasburg, nga ku këto ditë i ka ardhur edhe një letër.
Është totalisht e zhgënjyer nga qeveria e sotme, dikur opozitë.
“I kam votuar, nuk kam arsye ta bëj më”, thotë ajo.
Më poshtë intervista me Zamirën, që është botuar sot në DITA print.
Mira Kazhani: Mbushen 7 vite nga shpërthimi tragjik i Gërdecit. Kur kalon me makinë ai vend ka ndryshuar. Janë ndërtuar shtëpi të reja dhe duket sikur gjithçka ka shkuar në vend. Por ajo ç’ka është një kontrast i karakterit human, është fakti se qeveria e kohës, gjykatat, i dhanë dëmshpërblim për ndërtesat dhe sot e kësaj ditë nuk po dëmshpërblehen jetët e humbura. Pse kështu?
Zamira Durda: Pse kështu?! Po edhe vendimi gjyqësor që u dha atëherë u rrëzua akuza e vrasjes dhe u provua shkatërrimi i pronës dhe i të gjithave. Gërdeci u rindërtua shumë shpejt. Ishin të shumtë njerëzit që patëm dëme materiale. Ne që patëm jetë të humbura ishim më pak. Qeveria e mëparshme e përdori këtë edhe për imazh që të dukej që Gërdeci u rimëkëmb, por në fakt kjo është e sipërfaqshme, sepse nga brenda Gërdeci është si molla e kalbur. Jetët e këtyre njerëzve nuk janë më si para 2008. Ata mund të jetojnë vërtet në ndërtesa më të mira, por ata nuk kanë një jetë më të mirë. Ata jetojnë si të trembur. Tremben edhe kur shpërthen një gomë makine.
Mira Kazhani: Zamira, më vjen keq ta them, por ka një perceptim publik që banorët e Gërdecit bënë një kompromis. Nuk më pëlqen të përdor fjalët “ata bënë tregti me fatkeqësinë e tyre”, por pak a shumë është një paragjykim që për një pjesë të tyre ekziston…Ndryshe nga ju që ende prisni drejtësi!
Zamir Durda: U vu një barazpeshë e shtëpive të ndërtuara para viteve ‘90 dhe pas këtyre viteve. Njerëzit u joshën këtu dhe rendën të përfitonin ç’të mundnin. Shtëpitë që u shkatërruan ishin shtëpi të vjetra me qerpiç. Njerëzit këtu u joshën dhe u bë ajo përçarja siç e ka zakon politika në Shqipëri. Me të drejtë dikush thoshte, unë nuk flas se kisha më pak dhe mora më shumë. U vu paraja në mes dhe ajo mbylli shumë gojë. Por po ta përsëris, ata nuk u riparuan si njerëz. Unë njoh fëmijë të stresuar. Madje edhe të rritur me probleme.
Mira Kazhani: Nga e kupton diçka të tillë, çfarë shenjash kanë ata?
Zamira Durda: Një gjëmim dhe njerëzit tronditen. Një gomë pëlcet në autostradë dhe bëjmë Ohh.
Mira Kazhani: Ju vetë e keni marrë dëmshpërblimim për ndërtesën?
Zamira Durda: Po, e kam marrë si gjithë të tjerët.
Mira Kazhani: Sa familje jeni tani që kërkoni dëmshpërblim për jetët e humbura. Jeni të gjithë ju apo ka edhe që janë dorëzuar?
Zamira Durda: Hiq familjen e baxhanakut të ish-kryeministrit dhe hiq familjen e Dvoranit (familje gjykatësi – shën.red), që e fitoi që në fillim dëmshpërblimin, që në vitin 2010, pjesa tjetër nuk e ka marrë gjyqin. Por nuk është dorëzuar.
Mira Kazhani: A e dini pse nuk ka një kërkesë të tillë nga familja e baxhanakut të ish-kryeministrit?
Zamira Durda: Nuk di asgjë për këtë. S’e kam idenë.
Mira Kazhani: Pse është fituar nga Dvorani dhe ju të tjerët jo?
Zamira Durda: Kalvari ynë ka qenë i gjatë. Që në fillim na veçuan. Ishim bashkë në Gjykatën e Lartë në 2009 dhe na veçuan. Pastaj nuk vazhdonte dot gjyqi civil për deri kur të dilnin fajtorët. Në momentin që dolën fajtorët nisën praktika të reja. Ishim të grupuar dhe na ndan veç e veç. Vazhdoj disa muaj kjo procedura e ndarjes. U hodh shorti për gjyqtarë çdo familje më vete. Disa muaj u shty për shkak se na u tha se do të ishte kompania amerikane që do shpërblente dhe nuk kishim mundësi njoftimi. Tjetër pengesë ishin taksat. Taksa 3 për qind për dëmshpërblimin e jetës, e cila ishte goxha e kushtueshme për ne familjarët.
Jemi përpjekur që të ndjekim të gjitha rrugët ligjore për ta zgjidhur çështjen e dëmshpërblimit. Kemi gjetur refuzim për çdo gjë nga Ministria e Mbrojtjes, me të cilën kemi kërkuar ta zgjidhim edhe me pajtim dhe ajo nuk pranoi. E dërguam në Gjykatën Kushtetuese dhe ajo e la në varësi të gjyqtarëve, që ta shqyrtojnë rast pas rasti në varësi të të ardhurave që ka çdo familje dhe le të themi që topi u kthye sërish tek gjykata. Pati një moment që çështja po merrte drejtim në gjykatë dhe krejt papritur doli një urdhër që vendimet për institucionet e paditura duhen të kalonin në Gjykatën Administrative. Morëm dosjet i çuam në Gjykatën Administrative dhe kjo na hëngri tre muaj të tjerë. Një kalvar pafund.
Mira Kazhani: Ku jeni tani?
Zamira Durda: Në Gjykatën Administrative. Tani me ndryshimin e qeverisë ndryshoi taksa nga 3 për qind, ka zbritur në 1 për qind. Mund të them që edhe 1 për qind është goxha shumë për familje si ne.
Mira Kazhani: Sot që flasim keni pasur një tjetër seancë? Ndonjë lajm të mirë?
Zamira Durda: Sot kishim një tjetër seancë në Gjykatën Administrative dhe avokati i Ministrisë së Mbrojtjes del e thotë se duhet rrëzuar kërkesa e familjarëve për dëmshpërblim nga MM, sepse ministria nuk është fajtore për shpërthimin. Më fal, po unë isha në shtëpinë time. Unë kë duhet të bëj fajtor?
Mira Kazhani: Po sot MM drejtohet nga ata që dolën në protesta për Gërdecin. Zonja Kodheli ka qenë në front të parë të protestave për atë që ndodhi në Gërdec. Si ka mundësi që MM e sotme nuk është palë me ju?
Zamira Gërdeci: Nuk e di. Këtë kërkesë të avokatëve të ministrisë e prita e revoltuar, por ata fundja bëjnë punën e tyre. Ajo që dua të them është se ne edhe kësaj ministrie i jemi drejtuar për pajtim dhe kjo nuk ka ndodhur për shkak të taksave që janë tepër të larta dhe nuk pranojnë që t’i heqin. Kanë bërë vetëm një zbritje. Ja kemi kërkuar ministres, kryeministrit Rama dhe nuk kemi marrë asnjë përgjigje.
Mira Kazhani: Më çfarë argumenti mbrohet MM?
Zamira Durda: Këta kanë parasysh rastin Dvorani, ku MM u përjashtua nga dëmshpërblimi. Por Dvorani ka qenë punëtor, ka pasur kontratë me atë kompani. Unë kam qenë në shtëpinë time. Djali im u vra në shtëpi, duke bërë detyrat dhe s’ka pasur kontratë me askënd. Ministria e Mbrojtjes i dha urdhrat që dolën armatimet sheshit. Transporti bëhej me mjetet e ushtrisë. Unë nuk njoh askënd veç shtetit tim. Atyre të tjerëve t’ju kërkoj llogari shteti. Unë nuk kam punë. Shteti im ka për detyrë të më mbronte, jo të më vriste djalin.
Mira Kazhani: A shpreson tek politika e sotme?
Zamira Durda: Jo, nuk shpresoj. Ata e shohin sipas interesit të tyre.
Mira Kazhani: Po besoj votoni sa herë ka zgjedhje parlamentare?
Zamira Durda: Po, sigurisht dhe kam votuar PS.
Mira Kazhani: Do vazhdoni ta bëni?
Zamira Durda: Nuk kam ndonjë arsye, tashmë jam në atë pjesën gri të elektoratit.
Mira Kazhani: A ju qetëson dëmshpërblimi nëse ju jepet?
Zamira Durda: Ajo që u bë nuk zhbëhet dhe nuk më qetëson. Këtë e bëj më shumë për të vënë drejtësi sipas ligjeve, por nuk ka qetësi për shpirtin tim.
Mira Kazhani: Ju e keni apeluar çështjen në Strasburg. A keni një reagim nga kjo gjykatë?
Zamira Durda: Po, unë kam paditur shtetin shqiptar në Strasburg dhe para pak ditësh kam marrë një përgjigje pozitive. Strasburgu do ta marrë në shqyrtim çështjen. Gjykata e Strasburgut i ka nisur shtetit shqiptar një formular me disa pyetje dhe afati i fundit që i është vënë shtetit shqiptar për t’u përgjigjur është data 4 Maj 2015. Kam shumë shpresa që të paktën të vihet drejtësi dhe të paktën ata që kryen krimin të ndëshkoheshin, po edhe kështu merr jetë njerëzish dhe askush nuk ndëshkohet…..të gjithë janë në shtëpitë e tyre. Të gjithë të pafajshëm. Mbaruan ato dënimet, disa u falën për sjellje të mirë.
Një nga pyetjet e Gjykatës së Strasburgut që i bëhet shtetit shqiptar, më pëlqen ta vë në dukje. Thuhet: A janë njoftuar banorët për demontimi në zonë dhe që kjo fabrikë paraqet rrezik? Le t’i përgjigjen kësaj pyetjeje ata. Kush na njoftoi ne? MM thotë sot nuk jam unë fajtor, se fabrika kishte lidhur kontratë me një kompani amerikane dhe një private.
Mira Kazhani: Tashmë të gjykuarit për Gërdecin janë të lirë siç e thatë edhe ju. A ka pasur ndonjë përpjekje për ta zgjidhur çështjen në rrugë private?
Zamira Durda: Unë nuk kam takuar asnjëherë ndonjërin prej tyre. Po nuk e kam menduar ta bëj. Unë kam punë vetëm me shtetin tim, atij që i paguaj taksa.
Mira Kazhani: Nuk ju është ofruar kurrë asgjë. As në ato fillime?
Zamira Durda: Patjetër që në ato fillime ka pasur nga ata zotërinj. Më është ofruar dhe mal me para, por nuk ka qenë dhe nuk është ky qëllimi im. Tërë botën të ma japësh nuk e dua. Zoti më ka dhënë forcë e mjekja ilaçe, që më mbajtën në këmbë. Sot në gjykatë shpërtheva në lot, sesi më duket që po kërkoj unë dëmshpërblim. Kjo në fakt është thjesht një gjë e imja që nuk dua të fal, por bota s’më mjafton. Djali im do ishte 15 vjeç sot. Asgjë tjetër nuk e mbush atë boshllëk.
http://https://www.youtube.com/watch?v=pMVxwU8GUHc