Indeksi Botëror i Paqes 2015: Ja vendet më paqësore në botë!
Studimi – Dje u publikua në Londër “Indeksi Global i Paqes” nga “Institute for Economics and Peace” për vitin 2015. Surpriza është se Greqia ka njohur përmirësim, pavarësisht krizës ekonomike. Thuajse 1% e popullsisë botërore tashmë janë refugjatë, niveli më i lartë i shënuar që nga viti 1945 dhe shifrat pritet të rriten edhe më tej
Distanca mes vendeve më të paqta dhe atyre të prekura prej konflikteve, sipas një studimi më të fundit, rezulton të jetë edhe më e madhe.
Lajmi i mirë në këtë mes është se ka rënie të përqindjeve të vetëvrasjeve dhe rënie të buxhetit për ndërhyrje ushtarake, që u kanë shkaktuar disa vendeve vlera rekord në shkallën e paqes, thuhet në të ashtuquajturin Global Peace Index, të bërë publik dje në Londër, ku janë renditur 162 vende në shkallë botërore.
Europa vijon të qëndrojë rajoni më i paqtë në botë, megjithëse terrori në Danimarkë dhe para së gjithash, ai i shkurtit 2015 në Paris, ka ndikuar në vlerësimin e këtyre shteteve. Tri vendet më të paqta janë nga Europa: Islanda, Danimarka dhe Austria, ndërsa Gjermania për shembull, gjendet në vendin e 16. Ndër 20 vendet më të mira në shkallë botërore, 15 janë europiane.
Greqia duket se ka bërë hapin më të madh në rajon në këtë pikëpamje, pavarësisht krizës ekonomike që e ka mbërthyer. Ajo gjendet në vendin e 61 të renditjes botërore, dhe kjo falë uljes së numrit të krimeve me dhunë. Sidoqoftë, ajo është më poshtë se Shqipëria, e cila zë vendin e 52-të, ndër 162 vende të testuara.
Ukraina në “Indeksin Global të Paqes” nuk renditet në rajonin e Europës, por në atë të Rusisë e Euroazisë. Aneksimi i gadishullit ukrainas të Krimesë dhe lufta në rajonin e Donbasit, e kanë rrëzuar shumë vende poshtë këtë vend. “Gara mes Rusisë dhe Perëndimit e rrit kësisoj mundësinë e konflikteve të tjera në rajon në vitet në vijim”, shkruajnë ekspertët në raportin e tyre me këtë rast.
Lindja e Mesme dhe Afrika e Veriut kanë dalë më keq në renditje, duke shënuar shumë rënie që nga viti 2008. Renditjen botërore e mbyll sigurisht vendi që po vuan prej vitesh nga lufta civile me përmasa apokaliptike, Siria, e cila në vitin e kaluar ra në vendin e fundit dhe tashmë ndodhet pas Irakut e Afganistanit. Lindja e Mesme dhe Afrika e Veriut janë sërish rajonet më të prekura nga tensionet dhe dhuna. Përkeqësimin më të dukshëm e ka pësuar Libia dhe sipas autorëve të studimit, atje, në vitin e kaluar, situata është bërë tejet e rrezikshme, për shkak të luftimeve mes grupeve rivale e atyre islamike e nacionaliste.
Më tej raporti detajon se:
Shumë vende të OECD-së (Organizata për Zhvillimin dhe Bashkëpunimin Ekonomik) kanë arritur nivele historikisht të larta të paqes, duke shënuar ulje të përqindjeve të vrasjeve, shpenzimeve ushtarake dhe angazhimeve të tjera të natyrës ushtarake.
Intensiteti i konflikteve të armatosura u rrit ndjeshëm me numrin e njerëzve të vrarë në konfliktet globale, deri në 3.5 herë, nga 49,000 që ishte në 2010 në 180,000 në 2014. Vdekjet totale nga terrorizmi në 2014-n u rritën me 9%, duke kapur shifrën e 20,000 vetëve.
Thuajse 1% e popullsisë botërore tashmë janë refugjatë apo është dashur të zhvendosen brenda vendit (IDPs), niveli më i lartë i shënuar që nga viti 1945 dhe shifrat pritet të rriten edhe më tej.
Impakti i dhunës në ekonominë globale arriti në 14.3 trilionë dollarë ose 13.4% e PBB-së globale në vitin e kaluar, thuajse ekuivalent me ekonomitë e kombinuara të Brazilit, Kanadasë, Francës, Gjermanisë, Spanjës dhe Britanisë së Madhe.
Steve Killelea, themeluesi dhe kreu ekzekutiv i IEP vëren se, “reduktimi i konflikteve është një pikë kryesore në sigurimin e rimëkëmbjes ekonomike botërore. Nëse dhuna globale ka pësuar ulje në 10% në uniformitet, një shtesë prej 1.43 trilionë dollarësh do të shtohej efektivisht në ekonominë botërore. E parë në perspektivë, kjo përbën më shumë se gjashtë herë të vlerës totale të borxhit grek dhe kreditë e dhëna prej Fondit Monetar Ndërkombëtar, Bankës Qendrore Europiane dhe vendeve të tjera të Eurozonës në mënyrë të kombinuar”.
Në përgjithësi, nivelet globale të paqes qëndruan stabël në vitin 2014; por janë më të ulëta se sa ato të vitit 2008. Që nga viti i kaluar, 81 vende e përmirësuan nivelin e tyre të paqes ndërsa 78 pësuan rënie.
Shumë popuj europianë tashmë po hasin nivele me përqindje të ulëta vetëvrasjesh dhe po ashtu, me ulje të buxheteve ushtarake dhe një tërheqje të forcave nga Iraku dhe Afganistani. Në kontrast me to, vende tipike problematike, si Republika e Afrikës Qendrore, kanë njohur edhe më tej rënie.
Katër rajone, Europa, Amerika e Veriut, Afrika Subsahariane dhe Amerika Qendrore kanë njohur përmirësim gjatë vitit të kaluar
“Indeksi Botëror i Paqes” publikohet çdo vit nga “Institute for Economics and Peace” në Londër. Ai mat indikatorë të rëndësishëm si buxheti ushtarak, apo ndërhyrjet e armatosura, shpenzimet për misionet e OKB-së, sulmet terroriste, përqindjet e vrasjeve dhe sigurinë sociale.
/GazetaShqip.com