Hungaria, së shpejti mur me tela me gjemba për të ndaluar emigrantët
Ligji i shumëdiskutuar që parashikon dëbimin e imigrantëve nga Hungaria me procedurë të përshpejtuar si edhe ndërtimin e një pengese me tela me gjemba përgjatë kufirit me Serbinë u miratua në parlamentin hungarez me votat e maxhorancës qeverisëse dhe të ekstremistëve nacionalistë.
Ky ligj, kufizon të drejtën e azilit në këtë vend anëtar të Bashkimit Evropian, si kundërpërgjigje ndaj numrit rekord të imigrantëve dhe refugjatëve që kanë mbërritur në Hungari këtë vit, që arrin deri në 67 000 persona.
Parlamenti miratoi dje edhe ndërtimin e një ndarëseje katër metra të lartë përgjatë kufirit me Serbinë në përpjekje për të parandaluar hyrjen ilegale të imigrantëve.
Bëhet fjalë për vijën kufitare prej 175 kilometrash, që do të “mbyllet” nga një rrethim prej katër metrash të lartë.