Organizata ndërkombëtare më seli në New York, Human Rights Watch, publikoi të martën raportin 652 faqesh mbi gjendjen e të drejtave të njeriut në rreth 100 vende të botës.
Raporti i 30-të me radhë përfshinë periudhën nga fundi i vitit 2018 deri në nëntor të vitit 2019.
Gjendja e të drejtave të njeriut në Kinë është edhe përqendrimi kryesor i raportit i cili përfshinë ndërkaq edhe gjendjen e katër vendeve të Ballkanit, Kosovës, Serbisë, Kroacisë e Bosnjës, raporton Zëri i Amerikës.
Në hyrje të raportit theksohet se mungesa e disa vendeve është pasqyrim i mungesës së personelit dhe burimeve të organizatës dhe nuk përcakton gjendjen në ato vende, përfshirë këtu mungesën e Shqipërisë në raport.
Kosova
Dialogu i normalizimit ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit, i sponsorizuar nga Bashkimi Europian ngeci në nëntor të vitit 2018 pasi Serbia pengoi Kosovën t’i bashkangjitet Interpolit. Si përgjigje ndaj këtij veprimi Kosova vendosi 100% taksa importi për të gjitha mallrat nga Serbia dhe Bosnja dhe Hercegovina.
Progresi drejt përgjegjësisë për krimet e rënda të luftës të kryera gjatë Luftës së Kosovës në vitet1998-1999, ishte i ngadalshëm.
“Gazetarët u përballën me kërcënime dhe kanosje, dhe ndjekjet penale të krimeve ndaj gazetarëve janë të ngadalta. Vazhduan tensionet mes serbëve dhe shqiptarëve të Kosovës, veçanërisht në veri të vendit. Komunitetet Rome, Ashkali, dhe Egjiptianët e Ballkanit vazhduan të përballen me diskriminim. “, shkruhet në raport.
Përsa i përket minoriteteve, romët, ashkalinjtë dhe egjiptianët e Ballkanit vazhduan të kenë vështirësi në pajisjen me dokumenta personale, duke pasur pasoja negative në mundësinë për të pasur qasje në kujdesin shëndetësor. Nuk u shënua përparim konkret në integrimin e komuniteteve rome, ashkali, dhe egjiptianëve të Ballkanit.
Pavarësisht disa zhvillimeve pozitive, dhuna në familje mbeti problem në Kosovë me reagim të pamjaftueshëm nga ana e policisë, pak hetime dhe mungesa në marrjen e masave dënuese për partnerët abuzivë nga ana e gjykatësve. Problematike mbetet dhe situata e viktimave të krimeve seksuale gjatë luftës.
Përsa i përket komunitetit LGBTI, gjuha e urrejtjes në internet mbetet gjithashtu problematike.
Organizatat LGBT në Kosovë regjistruan 18 raste kërcënimesh dhe diskriminim kundër anëtarëve të komunitetit LGBT. Sipas Cel Kosova, aktivistët LGBT kanë marrë më shumë se 150 kërcënime me vdekje në internet gjatë vitit.
Të gjitha u raportuan në polici por asnjë nga rastet nuk u hetua.
Raportin e plotë mund ta lexoni këtu.