Historitë – Jetojnë në varfëri, por u përjashtuarin si “abuzues” nga ndihma ekonomike
“Ndihma ekonomike është për familjet në varfëri reale, jo për ata që refuzojnë të punojnë”, ishin fjalët e Kryeministrit Rama gjatë një takimi në Berat 4 ditë më parë.
Janë rreth 20.000 familje që përjashtohen në mënyrë arbitrare nga ndihma ekonomike për shkak të ndryshimeve në sistemin e pikëzimit. Ndërsa vetë Kryeministri ka pranuar se llogaritja elektronike mund të ketë pasur një marzh gabimi e “disa nuk kanë përfituar”.
Më poshtë janë historitë e disa familjeve që kanë rënë pre e këtij “marzhi gabimi”, i cili ja ben të pamundur të përballojnë jetesën.
Historia e Taulantit
Taulanti nga qyteti i Elbasanit është një prej të përjashtuarve nga ndihma ekonomike me argumentin se është i vetëpunësuar. “Fax News” ka biseduar me Taulantin i cili tregon se prej vitesh merret me mbledhjen e materialeve të riciklueshme, për të rritur i vajzën dhe djalin e sëmurë.
“Për një javë mund të mbledh 32 kile, të cilat po ti marrësh me 800 lekë që është kilja, mund të marr rreth 25 mijë lek brenda javës.”
Ai tregon se këto të ardhura nuk janë të përballueshme dhe shpesh detyrohet të marrë borxh nëpër dyqane për të ushqyer fëmijët.
Taulanti thotë se e kanë drejtuar tek një kurs profesional 6-mujor për të marrë zanat, por ai nuk mundet ta ndjekë për shkak se duhet të kujdeset për djalin.
“Unë kam djalin me aftësi të kufizuara, vuan nga nervat dhe kërkon praninë time nga momenti në moment. Në kohë që unë dal djali ne mbyll me çelës. Nëse ai del jashtë pa shoqërinë time, irritohet dhe mund të bëhet dhe i dhunshëm”.
Historia e Irena Zeqos:
Skema elektronike e ndihmës ekonomike, ka përjashtuar si abuzuese Irena Zeqon, e divorcuar, nënë e 5 fëmijëve pa shtëpi dhe pa asnjë të ardhur, raporton “Fax News”.
“Doja të lidhja një kemp dhe nuk më dhanë as kempin. Kam shqetësime nervore dhe nuk kam mundësi të punoj. Më kërkuan para, 100 mijë lekë që të më lidhet ky kemp”.
Irena thotë se ndihmën ekonomike ja kanë hequr me argumentin se ajo merr kemp, por nga ana tjetër mjekët nuk ia kanë lidhur kempin.
Numri i rasteve të raportuar në media për familje në varfëri ekstreme që janë përjashtuar si abuzues nga skema ekonomike sa vjen e shtohet. Qeveria ndryshoi kriteret, duke lënë jashtë mijëra familje, por ende nuk ka bërë transparencë mbi formulën e llogaritjes së pikëve që i përjashtojnë aplikuesit nga ndihma ekomomike.
Video e plotë/ Fax News
/l.k./