Historia Ime shpall fituesin e Konkursit “Fotografo për të drejtat e tua”
Historia Ime shpall fituesin e edicionit të shtatë të Konkursit “Fotografo për të drejtat e tua”. Ervin Kurti nga qyteti i Tiranës është fituesi i konkursit që ka për qëllim të mbështesë aktivizmin përmes gazetarisë qytetare.
Punimi “Makineria që merr frymë” flet për një sërë problematikash shqetësuese si diskriminimi, varfëria dhe puna e detyruar e fëmijëve në Shqipëri. Fotografia e realizuar në qytetin e Fierit tregon dy fëmijë që kanë dalë bashkë me prindërit e tyre për t’i ndihmuar të nxjerrin hekur nga ndërtesat që u prishën për rehabilitimin e shtratit të lumit Gjanica.
“Çdo ditë shohim nëpër rrugët e Tiranës, Durrësit, Fierit, etj., fëmijë nga komuniteti Rom që punojnë që në moshë të vogël, pa pasur mundësi që të shkollohen dhe të dalin nga varfëria! Pjesa tjetër e popullit e injoron këtë fakt” – Ervin Kurti.
Kriteri kryesor për përzgjedhjen e fituesit është përcjellja e një mesazhi apo denoncimi i një problemi social përmes fotografisë. Ndër kriteret e tjera të vlerësimit janë cilësia dhe origjinaliteti i fotografisë, kompozimi dhe përputhja me çështjet prioritare të thirrjes.
Fituesi u zgjodh me votë nga stafi i gazetarëve dhe fotoreporterëve të Historia Ime në bazë të mbledhjes së pikëve për secilin pjesëmarrës. Punimi “Makineria që merr frymë” fitoi me 60 pikë nga 75 të mundshme.