Historia e sjelljes së bashkisë me të moshuarën e pastrehë
Bashkia Tiranë ka deklaruar se Qendrat Sociale do qëndrojnë të hapura 24 orë në ditë për të pritur të “prekur nga ftohti dhe gripi në situatë rruge”. Në gazetën Standard është denoncuar rasti i një të moshuare në një nga qendrat sociale.
Standard shkruan se 70 – vjeçarja nga komuniteti rom, jeton në çadër në ndërtesën e braktisur të caktuar si vendbanim nga Bashkia Tirane pas prishjes së shtëpive tek Bregu i Lumit. Sipas banorëve ajo gjendet e vetmuar me një çadër,e rrethuar nga lagështira,i ftohti dhe pamundësia për të blerë ilaçe.
Fqinjët e saj thonë se kanë telefonuar numrin që Bashkia ka venë në dispozicion për të referuar rastin që e moshuara të gjente një zgjidhje.
“Ne duam që e moshuara të strehohet në një vend të ngrohtë në mënyrë që të shërohet pasi këtu ku ne jetojmë me çadra ka mundësi të vdesë”, tregon për Standard Z.Sinani, banor në magazinën ku janë strehuar disa familje rome.
E moshuara është dërguar nga forcat e Policisë në një nga qendrat komunitare por mësohet se ka hasur në probleme me drejtoreshën e qendrës. Gazeta Standard shkruan se drejtoresha nuk ka pranuar ta mbajë të moshuarën pasi kishin strehuar 10 qytetarë të tjerë dhe nuk kishte vend. Banorët reaguan ashpër pasi sipas tyre nuk po respektoheshin të drejtat që ishin të ofruara nga Bashkia Tiranë. /m.g/
Nga Brejdon Xhavara