Heronjtë e heshtur të Peshkopisë, personeli dhuron gjak dhe shpëton shtatzënën
Mjekët në Spitalin e Peshkopisë i kanë shpëtuar jetën një gruaje shtatzënë, duke sakrifikuar përtej detyrës së tyre.
Pacientja u dërgua me urgjencë nga një fshat i Peshkopisë drejt repartit të gjinekologjisë në Peshkopi, në rrezik për jetën pasi kishte humbur shumë gjak.
Të sëmurës i duhej dhënë gjak dhe rezervat e spitalit nuk mjaftonin. Tetë infermiere të spitalit shpëtuan gruan dhe fëmijën e saj duke dhuruar gjak.
http://www.dailymotion.com/video/x58dpuj_0789808_news#tab_embed
“Rasti në fjalë ishte një gravidancë extra uterine (barrë jashtë mitrës) 2 muaj e gjysmë, që erdhi me parametra jo jetikë, pa puls e pa tension, dhe në sajë të organizimit të të gjithë stafit të mrekullueshëm të Spitalit të Peshkopisë, u dha gjak nga vet personeli. Gruaja doli me sukses dhe është në parametra jetikë”, tha Nadire Zeneli, doktoreshë obstetër gjinekologe.
“Këta janë heronjtë e heshtur, personeli mjekësor. Faleminderit atyre”, u shpreh Shpresa Biçi, nga Urdhri i Infermierit.
Pas dy orësh operacion gruaja është jashtë rrezikut për jetën. Ky rast veç mirënjohjes për sakrificën dhe përkushtimin e stafit të spitalit të Peshkopisë është edhe një tregues i kushteve të vështira në të cilat punohet në spitalet e rretheve.
/l.k./