Gjykata italiane vendos lirimin e kapitenes gjermane

Gjykata italiane vendosi pafajësinë e kapitenes gjermane, për shpëtimin e anijes me 42 emigrantë. Gjykata vlerësoi se Carola Rackete nuk e kishte thyer ligjin gjatë bllokadës detare të fundjavës, duke thënë se ajo kishte kryer vetëm detyrën e saj në mbrojtje të jetëve njerëzore.
Carola Rackete, një shtetase 31-vjeçare gjermane, nuk iu bind urdhrave të policisë italiane dhe u ankorua në portin e Lampedusës për të zbritur në tokë 42 emigrantë afrikanë.
Ajo u arrestua menjëherë dhe u vu në arrest shtëpie, por vendimi i gjyqtares Alessandra Vella, se Rackete kishte kryer detyrën e saj dhe nuk kishte kryer ndonjë akt dhune, qe gati një goditje e drejtpërdrejtë ndaj deklaratave të Matteo Salvinit. Ndonëse gjyqtarja Vella urdhëroi lirimin e saj të menjëhershëm, Rackete ende vazhdon të përballet me akuza se është duke i ndihmuar zhvillimit të emigracionit të paligjshëm.
Kontestimet mbi veprimet e kapitenes kanë dëmtuar potencialisht marrëdhëniet midis Italisë në njërën anë dhe Gjermanisë e Francës nga ana tjetër, duke theksuar kësisoj dështimin e vazhdueshëm të Evropës në miratimin e politikave mbrojtëse për emigrantët.
Carole Rackete, u paraqit para gjykatës së Agrigento ditën e hënë dhe kërkoi falje për goditjen e anijes patrulluese, duke thënë se ishte aksident dhe shpjegoi se shqetësimi i saj ishte vetëm mirëqenia e emigrantëve që ndodheshin dhe rrezikonin jetën në det prej mëse dy javësh. /l.k/