Gëzimi dhe Lindita, çifti me aftësi ndryshe që fitoi mbi paragjykimet
Lindita dhe Gëzim Hoxha kanë ndarë historinë e tyre në emisionin “Oktapod” të gazetarit Turjan Hyska në Vizion Plus.
Ata kanë 20 vite të martuar dhe kanë dy fëmije. Të dy bashkëshortët janë me aftësi ndryshe. Lindita ka humbur njërën dorë, ndërsa Gëzimi në vogëli ka kaluar një sëmundje të rëndë që i prekur trurin duke i ndikuar në lëvizje dhe në të folur.
“Unë kam qenë i vetëm për çdo gjë, në fillim e kam paragjykuar unë veten. Në çdo hap e kam paragjykuar veten. Ndërkohë shokët dhe shoqet mundoheshin të më afronin sa mundeshin. Ndërkohë un me gjykimin tim, ashtu si e shihja veten, mundohesha që t’i largoja ata”, tha Gëzimi.
Kjo ka ndryshuar kur Gëzimi, në moshën 23 vjeçare ai ikën në Amerikë me një vizë dhe atje punon për katër muaj. Aty fillimisht ka punuar për pastrimin e 4-5 godinave të mëdha, një punë që Gëzimi e mban mend si shumë të vështirë.
Punëdhënësi i tij, pas 4 muajsh pune ai nuk i jep asnjë pagë dhe e përzë edhe nga shtëpia ku jetonte. Prej ditësh së bashku me vëllain e vogël, që ishte atje për studime, rrinin rrugëve dhe kishin vështirësi për tu ushqyer. Më pas ai gjen një punë tjetër e megjithatë, në Amerike Gëzimi thotë që nuk gjeti atë që donte dhe u rikthye për të vazhduar shkollën. Pas rikthimit në Shqipëri ai mbaron shkollën dhe masterin në degën e kontabilitetit. Gëzimi thotë se e ka pasion muzikën, ai ka kompozuar më shumë se 200 këngë dhe thotë se ëndrra e tij është që këto këngë të publikohen e të këndohen.
Lindita, bashkëshortja e Gëzimit tregon se ka lindur pa njërën dorë. Lindita ka pasur një fëmijëri të vështirë, ndryshe nga Gëzimi atë nuk e pranonin shoqet dhe shokët.
“Si në familje edhe në shoqëri, ma vinin shpesh në dukje faktin që kisha probleme me dorën. Kur luaja në me shoqet shpesh më thonin, ‘mos e prek këtë se nuk e bën dot’ edhe në shtëpi e njëjta gjë”, thotë Lindita. Ky paragjykim do të vazhdonte gjatë gjithë jetës së saj, edhe kur filloi punë si mësuese, ku për gjate tre viteve asaj i thonin “vër një protezë, fshihe dorën, vër një dorashkë se do trembësh fëmijët”.
Lindita thotë se nuk do të vendosë një protezë sepse ajo e ka pranuar veten ashtu siç është.
Njohja me Gëzimin ka ardhur si një lojë, ku një person i tretë u ka ngritur një grackë, duke i thënë të dyja palëve se pëlqeheshin me njëri-tjetrin pa dijeninë e secilit. “Mos më dil përpara i thashë Gëzimit, po deshe hajde në shtëpi”, rrëfen Lindita.
/l.k./
Video e plotë: