Sot, më 1 dhjetor, shënohet Dita Ndërkombëtarë kundër HIV/AIDS.
Dita Botërore e SIDA-s, e shënuar më 1 dhjetor, është një ditë ndërkombëtare kushtuar ndërgjegjësimit për HIV/AIDS, si sëmundje kërcënuese për jetën. Përhapja e infeksionit me virusin e mungesës së imunitetit të njeriut (HIV) çon në sindromën e fituar të mungesës së imunitetit (AIDS), e cila sulmon sistemin imunitar të pacientit dhe ul rezistencën e tij ndaj sëmundjeve të tjera. Në këtë ditë, zyrtarë qeveritarë dhe individë në mbarë botën edukojnë njerëzit për parandalimin dhe kontrollin e SIDA-s. Tema e Ditës Botërore të Sidës 2021 është “TI JAPIM FUND PABARAZIVE! FUND AIDS”
Historia e Ditës Ndërkombëtare kundër HIV/AIDS
Dita Botërore e SIDA-s u caktua nga Zyrtarët e Informacionit Publik, James Bunn dhe Thomas Netter në gusht 1988. Të dy zyrtarët më pas ia dërguan idenë Drejtorit të Programit Global për SIDA-n. Pas miratimit të konceptit, u ra dakord që Dita e SIDA-s të festohet çdo vit më 1 dhjetor.
Tema e Ditës Botërore të SIDA-s u fokusua tek fëmijët dhe të rinjtë në dy vitet e para të saj. Që nga vitet 1990, studiuesit dhe mjekët kanë bërë përmirësime për t’u kujdesur për njerëzit që jetojnë me këtë sëmundje. Sot, Dita Botërore e SIDA-s është kthyer në një nga ditët më të njohura të shëndetit, e cila shërben si një mundësi kryesore për të rritur ndërgjegjësimin dhe për të festuar fitoret si: rritja e aksesit në mjekim dhe trajtim për personat e infektuar me HIV/AIDS.
Gjithsesi, personat e infektuar me HIV/AIDS vazhdojnë të jenë të stigmatizuar dhe të diskriminuar nga shoqëria dhe institucionet relevante. Gjithashtu, aktorët institucional nuk angazhohen mjaftueshëm në informimin, ndërgjegjësimin dhe luftimin e HIV/AIDS.
Deklarata e Organizatës Botërore të Shëndetësisë
Sipas Organizatës Botërore të Shëndetësisë,
-37,700,000 është numri i regjistruar i personave me HIV në vitin 2020
-680,000 njerëz vdiqën nga shkaqe të lidhura me HIV në vitin 2020
1 500 000 -njerëz u infektuan rishtazi në vitin 2020
73 % e njerëzve që jetojnë me HIV kanë filluar terapinë antiretrovirale (e cila do të vazhdojë gjatë gjithë jetës (ART)) në vitin 2020.
WHO (Organizata Botërore e Shëndetësisë), në këtë ditë hodhi dritë mbi rëndësinë e ndërgjegjësimit dhe luftimit të HIV/AIDS. Deklarata e tyre në këtë ditë është si vijon:
“HIV mbetet një çështje kryesore e shëndetit publik që prek miliona njerëz në mbarë botën.
Edhe pse bota ka bërë përparim të rëndësishëm në dekadat e fundit, objektivat e rëndësishme globale për vitin 2020 nuk u arritën.
Ndarja, pabarazia dhe shpërfillja e të drejtave të njeriut janë ndër dështimet që lejuan që HIV të shndërrohej dhe të mbetej një krizë globale shëndetësore. Tani, COVID-19 po i përkeqëson pabarazitë dhe ndërprerjet e shërbimeve, duke e bërë jetën e shumë njerëzve që jetojnë me HIV më sfiduese.
Më 1 dhjetor 2021, OBSH u bën thirrje udhëheqësve globalë dhe qytetarëve që të mblidhen për tu përballur me pabarazitë që nxisin SIDA-n dhe për të qënë sa më të arritshëm tek njerëzit që aktualisht nuk po marrin shërbimet thelbësore për trajtimin e HIV./ Agon Rexhepi
Burimi: https://www.who.int/campaigns/world-aids-day/world-aids-day-2021