FOTO/ Kosovë, 5 mijë veshje në stadium për të përkujtuar përdhunimet
“Thinking of you” (Duke menduar për ju), është titulli i instalacionit të artistes Alketa Xhafa- Mripa, i krijuar për të kujtuar gratë e përdhunuara dhe të abuzuara gjatë viteve të luftës në Kosovë. Ky instalacion, i vendosur në stadiumin e Prishtinës është krijuar nga 5 mijë veshje të varura në 45 tela të gjatë.
Veshjet janë dhuruar në mënyrë vullnetare nga njerëzit, gjatë javëve të kaluara në një fushatë që u organizua në qytete të ndryshme të Kosovës
Instalacioni u përurua në 12 qershor, datë që përkon me hyrjen në Kosovë të trupave ushtarake të NATO-s në vitin 1999.
Sipas të dhënave nga organizatat për të drejtat e njeriut, gjatë viteve të luftës në Kosovë ( 1996-1999), të paktën 20 mijë gra kanë qenë viktima të abuzimit dhe përdhunimit.
Përse janë zgjedhur fustanet, është pyetur krijuesja Alketa Xhafa Mripa
Për mua fundi simbolizon feminitet, bukuri, brishtësi… gruan, e thënë thjeshtë. Këto elemente gjithmonë lidhen me fundin. Gjithashtu, mënyra se si shoqëria i percepton të mbijetuarit e dhunës seksuale është si “ne” dhe “ata”, dhe për mua duhet të jemi një. Prandaj i kërkova jo vetëm të mbijetuarve [të dhunës së kohës së luftës] që të japin funde, por çdo grua, dhe në mënyrë ideale edhe çdo burrë, për të kontribuar në këtë instalacion. Titulli është “Mendoj për Ty”; është për të na bërë të gjithëve që të mendojmë për ta.