Finlanda: Të gjithë azilkërkuesit shqiptarë kanë marrë përgjigje negative
Zyra e Migracionit në Finlandë ka nxjerrë një njoftim për shtyp ku thotë se të gjithë azilkëkruesit shqiptarë kanë marrë përgjigje negative. Duke theksuar kështu që shanset për të fituar statusin e azilantit në Finlandë janë pothuajse zero. Edhe më keq akoma, Zyra e Migracionit shton se, bashkë me përgjigjen negative mund të merret edhe ndalim hyrje në zonën e Schengenit.
Numri i azilkërkuesve shqiptarë në Finlandë është rritur ndjeshëm gjatë verës 2015, kjo zyrë thekson se, “të gjithë azilkërkuesit shqiptarë të këtij viti kanë marrë përgjigje negative”.
Zyra e migracionit e konsideron Shqipërinë një vend të qetë lidhur me situatën e përgjithshme të sigurisë, ndaj vendimet ndaj kërkesave për azil të shqiptarëve janë marrë kryesisht më procedurë të përshpejtuar dhe janë konsideruar si të pabazuara.
“Shumë prej azilkërkuesve kanë kërkuar edhe ndihmë për kthim vullnetar në atdhe. Finlanda nuk e miraton automatikisht këtë ndihmë për të gjithë. Nëse ka arsye për të dyshuar se sistemi i ndihmës për kthim vullnetar keqpërdoret, atëherë nuk miratohet ndihma”, thuhet në njoftim.
Sipas kësaj zyre ndihma e sistemit të kthimit vullnetar mund të merret vetëm një here. Për ndihmën ose mbështetjen financiare për kthim vullnetar mund të aplikohet vetëm në 3 raste.
- Nëse azilkërkuesi ka marrë përgjigje negative për kërkesën për azil.
- Nëse azilkërkuesi e ka anulluar kërkesën për azil.
- Nëse azilkërkuesi ka lejeqëndrim të përkohshëm në Finlandë që e pengon largimin nga vendi.
Burimi: Agjencia Telegrafike Shqiptare