Familjet rome, 68% “të pastrehë”
Ilda Hoxha për Gazetën Shqip
Një studim i këtij viti i kryer nga SOROS në lidhje me mënyrën e jetesës së familjeve rome, nxjerr në dritë mjaft probleme me të cilat ndeshet ky komunitet. Problemet fillojnë që nga çështja e strehimit, të ardhurat mujore, kushtet e jetesës, pajisjet elektroshtëpiake, njohuritë në shkrim e këndim apo edhe gjuha e përdorur në familje. Për sa i përket përqendrimit më të madh të popullsisë rome, rezulton se Tirana kryeson me 21 për qind. Pas kryeqytetit renditet Qarku i Korçës me 20 për qind, Fieri me 19 për qind dhe në vend të katërt Qarku i Elbasanit me 13 për qind.
Strehimi
Në lidhje me çështjen e strehimit theksohet se 68 për qind e familjeve rome kanë probleme me çështjen e strehimit. “29 për qind jetojnë në banesa të cilat nuk janë të pajisura me dokumente, ndërsa 6 për qind jetojnë në banesa në pronësi të njësive të qeverisjes vendore. Përpos kësaj pothuajse 18 për qind jetojnë në banesa të të tjerëve ndërsa 15 për qind deklarojnë se jetojnë në banesa për të cilat ka nisur procesi i legalizimit. Një analizë e thjeshtë tregon se nëse mbledhim të gjitha kategoritë e familjeve, të cilat jetojnë në banesa që nuk zotërohen nga familjet në fjalë kuptojmë se 68 për qind e familjeve rome karakterizohen nga pasiguria e aksesit në banesë”, thuhet në censusin e SOROS. Kjo përqindje e lartë tregon se familjet rome në shumicën e tyre dërrmuese vuajnë një situatë të pasigurisë së strehës gjë që ndikon seriozisht në rrethanat psikologjike, ekonomike dhe sociale të popullatës rome.
Punësimi
Çështja e punësimit të familjeve rome ka qenë dhe vijon të jetë një ndër problemet më shqetësuese. Për shkak të paragjykimit që ekziston ndaj tyre është mjaft e vështirë që të integrohen në tregun e punës. Sipas Censusit shpjegohet se 74 për qind e të rriturve romë në moshë pune deklarohen të papunë. Kjo është një shifër mjaft e lartë krahasuar me shifrën zyrtare të papunësisë në popullatën e përgjithshme. “Niveli i lartë i papunësisë i shoqëruar nga një nivel i ulët kualifikimi, tkurrje e hapësirave në tregun informal të ekonomisë, si dhe strehimi i pasigurt apo i papërshtatshëm kërcënojnë seriozisht mirëqenien dhe sigurinë fizike të familjeve rome”, nënvizohet në studim. Qarqet më të prekura nga papunësia e romëve janë ai i Elbasanit, Beratit, Fierit, Gjirokastrës, Vlorës dhe i Lezhës.
Edukimi
Shkollimi i tyre është një pikë tepër delikate, pasi pjesa më e madhe e tyre nuk dinë të shkruajnë dhe lexojnë. Nga të dhënat rezulton se 80 për qind e fëmijëve 6-vjeçarë nuk dinë as shkrim e as këndim. Sipas censusit grupmosha më e prekur nga analfabetizmi është ajo 18 vjeç e lart me 51 për qind të popullatës analfabete. Nga ana tjetër rezulton se femrat janë më të prekura nga analfabetizmi. Në masën 52 për qind krahasuar me meshkujt me 45 për qind.
Elektroshtëpiaket
Nga të dhënat del se pjesa më e madhe e familjeve rome nuk kanë lavatriçe. Madje mund të theksohet se shifra është tepër e lartë. Bëhet fjalë për 72 për qind të familjeve, të cilat i lajnë rrobat ende me dorë. Përpos kësaj një pjesë e konsiderueshme e tyre nuk kanë një frigorifer në shtëpi, rreth 52 për qind e familjeve. Ndërkohë, vetëm 16 për qind e këtyre familjeve kanë një sobë për të gatuar. Për sa i përket aksesit të një televizori rezulton se 17 për qind e tyre nuk kanë, ndërsa pjesa më e madhe e zotërojnë një të tillë. Po t’i krahasojmë këto të dhënat me familjet nga mazhoranca, duket se situata është problematike, pasi janë elementet thelbësore të jetesës.
Energjia
Energjia elektrike gjithashtu është një ndër elementet thelbësore të jetesës. Nga të dhënat theksohet se 12 për qind e familjeve rome nuk kanë energji elektrike, pra jetojnë në kushte të vështira. “Më të prekura nga kjo dukuri janë Tirana, Korça, Elbasani, Durrësi dhe Komuna Qendër Fier. Ndërkohë, në 31 për qind të banesave telat elektrik gjendeshin të ekspozuar dhe shpesh pësojnë defekt. Në 5 për qind të rasteve telat rezultojnë të zhveshur dhe metali brenda tyre është i ekspozuar, ndërkohë që në rreth 10 për qind të banesave shumica e prizave nuk punonin fare”, tregon studimi.
Të ardhurat
Të ardhurat mujore për familjet rome janë mjaft të ulëta. 48 për qind e tyre marrin më pak se 10 mijë lekë të reja në muaj, duke marrë parasysh këtu edhe numrin e madh të anëtarëve që ka një familje. Ndërkohë që 35 për qind e tyre marrin më pak se 20 mijë lekë të reja në muaj. Rezultatet tregojnë se më pak se 1 për qind e familjeve rome deklarojnë të ardhura deri në 50,000 lekë në muaj.