Fakte tronditëse për kushtet në landfillin e Sharrës, dëshmitari: “Aty punonin fëmijë 10 vjeç”
Rreth dy muaj më parë Kryetari i Bashkisë Erion Veliaj publikoi një set prej 17 fotografish ku shfaqej duke vizituar impiantin e ri në landfillin e Sharrës. Në foto duken njerëz me uniforma, doreza dhe maska higjiene që punojnë në kushte relativisht të mira.
“E mirëkuptoj ankesën për koshat që kthehen përmbys nga ricikluesit, po evitojmë me impiantin në Sharrë i cili punëson qindra njerëz”, ka shkruar Veliaj.
Vdekja e 17- vjeçarit Ardit Gjoklaj i cili punonte në të zezë në landfill nxori zbuluar gjithë shkeljet dhe kushtet e punës në sharrë, duke e bërë setin fotografik të Veliajt të duket një farsë.
Postimi i Erion Veliajt më 16 qershor:
A1 News ka investiguar ngjarjen e rëndë që ndodhi në landfillin e Sharrës, ku pak ditë më parë humbi jetën 17 vjecari Ardit Gjoklaj, duke sjellë kështu fakte dhe dëshmi të reja mbi kompaninë e riciklimit ‘3 R’ dhe mënyrën si operonte në punë.
Nëpërmjet dëshmive, zbardhen fakte tronditëse:
– Në landfillin e Sharrës, firma ‘3R’ që është bashkëpronare me Bashkinë e Tiranës, ka punësuar mbi 50 fëmijë dhe të mitur, madje edhe të moshës 10 vjeç. Të gjithë në të zezë;
– Numri i përgjithshëm i punonjësve të landfillit ishte rreth 300 persona, të gjithë të pasiguruar;
– Ardit Gjoklaj punonte në turnin e natës, megjithëse ishte i mitur. Ai u vra ndërsa ishte duke punuar;
– Kushtet e punës ishin jashtë standardeve, pa ujë e pa banjo;
– Erion Veliaj e kishte promovuar personalisht ndërmarrjen e përbashkët Bashki-privat si një histori suksesi që ishte vetëm fillimi. Ai kishte premtuar punësim me siguracione dhe pagë dinjitoze.
Bashkia kishte për detyrë të kontrollonte që punësimi të ishte i ligjshëm dhe sipas standardeve të sigurisë, sepse është bashkëpronare në këtë aktivitet.
Të dhënat e investigimit të A1News, të paraqitura sipas dëshmive, vendosin përpara përgjegjësisë automatikisht institucionin e Bashkisë së Tiranës për krijimin e një ndërmarrjeje me bashkëpronësi publike-private, e cila dyshohet se ka krijuar kushte tërësisht antiligjore për punësimin e të miturve dhe të fshehura me kujdes nga bashkëpronarët, pasi vetëm vrasja e 17-vjeçarit hodhi dritë mbi atë që po ndodhte në landfill dhe ktheu vëmendjen e medias.
Disa ditë pas publikimit të këtij lajmi drejtoresha e informacionit të A1 News, Alida Tota, ka akuzuar drejtpërdrejt kryebashkiakun Veliaj se ka ushtruar presion mbi pronarët e kësaj medie për të larguar nga puna atë dhe ekipin e gazetarëve që janë marrë me këtë investigim.
Video: Investigimi i A1 News dhe dëshmitë tronditëse të punonjësve të landfillit:
https://www.youtube.com/watch?v=cocOkW1RMNw
/l.k./