Kompania Facebook deklaroi të hënën se një raport i të drejtave të njeriut i porositur nga vetë kompania për praninë e Facebook në Mianmar, tregoi se nuk ishte bërë mjaftueshëm për të parandaluar përdorimin e rrjetit social për të nxitur dhunën dhe mesazhet e urrejtjes.
Raporti rekomandoi që Facebook të zbatojë më rreptësisht politikat e përmbajtjes dhe të sigurisë, të rrisë angazhimin me zyrtarët e Mianmarit dhe grupet e shoqërisë civile dhe të publikojë rregullisht të dhëna shtesë lidhur me përparimin e gjendjes së të drejtave të njeriut në vend.
“Raporti arrin në përfundimin se, para këtij viti, ne nuk po bënim mjaftueshëm për të ndihmuar në parandalimin e përdorimit të platformës sonë për të nxitur ndasitë dhe dhunën në Mianmar. Ne pajtohemi se mundemi dhe duhet të bëjmë më shumë, “tha Alex Warofka, një menaxher i politikës së produkteve në Facebook, në një postim në blog.
Një raport i veçantë i Reuters në gusht zbuloi se Facebook dështoi të merrte parasysh paralajmërimet e shumta nga organizatat në Myanmar rreth postimeve të mediave sociale që nxitnin sulme ndaj grupeve minoritare si komuniteti Rohingya. Në gusht të vitit 2017 ushtria nisi një përndjekje të komunitetit musliman të Myanmarit, në përgjigje të sulmeve të kryengritësve Rohingya, duke përzënë më shumë se 700,000 muslimanë në Bangladeshin fqinj, sipas të dhënave të OKB.
Facebook ka qenë në qendër të kritikave dhe më parë dhe është akuzuar se nuk ka parandaluar mesazhe të urrejtjes e dhunës apo dhe ka lejuar ndikimin e grupeve të caktuara në influencimin e opinionit të shoqërisë, si në rastin e zgjedhjeve presidenciale në SHBA apo gjatë fushatave politike të nacionalistëve në Europë./ k.j
Burimi:reuters