E lindur në Greqinë e lashtë në kohët e para të ndërgjegjes politike të një qytetërimi që shprehte idealin e barazisë , askush nuk do ta mendonte se era e shpejtë e dijes do t’i shpërndante farat e saj nëpër Europë dhe botë,ku do të rriteshin gjithmonë më shumë. Grekët e pagëzuan simbolin e tyre të barazisë,lirisë dhe vëllazërimit “demokraci” (demos-popull, kratias-udhëheq).Ajo evoloi me kohën deri sa u bë ajo që është sot . Tani në shekullin e njëzet e një,shoqëria shqiptare në përfundim të izolimit total,plagëve nga historia, e lodhur nga indiferentizmat,rryma antidemokratike dhe oligarkia më në fund po hedh hapat e saj të parë në rrugën e integrimit në Bashkimin Europian, e cila personifikohet me rrugën drejt demokracisë dhe të drejtave: të drejtës së fjalës,për të qenë i lirë apo të qenit qytetar europian. Integrim,plotësim kërkesash dhe respektim i të drejtave janë fjalët që po përcaktojnë fatin e një shtet-kombi në kërkim të familjes kontinentale. Por kjo lëvizje me peshë gati-gati na ve në pozitën e një guri të pambrojtur në lojën e shahut . Vetëm nëpërmjet informimit të vazhdueshëm mbi impaktin që ky integrim do të luajë në familjet shqiptare mund të bëjmë diçka më shumë për të drejtën tonë,demokracinë,për të qenë qytetarë europianë.
Përqëndrimi i drejtimit të integrimit në rrugën drejt BE është respektimi i drejtës për të jetuar në demokraci,njëlloj si vendet anëtare, në të cilat nuk ka vend për fjalën “censurë”.BE duke pranuar republikën shqiptare si vend kandidat ka filluar projekte për zhvillimin e saj. Po financohen para për zhvillimin dhe pranimin e pakicave minoritare në shoqëri si romët apo egjiptianët. Ndërkohë që i ka ngarkuar qeverisë detyrën për të kryer vetingun dhe të bëjë kontrolle financiare, nga ana tjetër kjo strukturë ka dërguar delegacione që mbikëqyrin zbatimin praktik të reformave, gjë që nuk lejon abuzime. Këto lëvizje në sistemin politik priren të ndikojnë rrënjësisht në shoqërinë shqiptare. Largimi i gjyqtarëve dhe prokurorëve të korruptuar ve në dukje se do respektohen të drejtat juridike të çdo personi,kurse në gjykimin e çështjeve penale do të ketë paanshmëri . Nga ana tjetër kontrollet financiare ndikojnë direkt në reduktimin e fenomenit të pastrimit të parave dhe invazionit fiskal. Kjo përkthehet në të ardhmen me më shumë investime publike në sistemin arsimor,shëndetësor,në hapësira publike apo infrastrukturë. Këto çështje janë delikate në arenën kombëtare dhe kanë ndikim mbi buxhetin e shtetit apo krijojnë vakanca në pushtetin gjyqësor dhe vonesa në shqyrtimin e çështjeve. Megjithatë synimi është i qartë: ngushtimi i distancës nga realiteti i Europës së kombeve.
Unë kam një ëndërr. Të rinjtë kanë ëndrra,vizione,dëshira që qëndrojnë pezull si iluzione në sirtar. Të gjithë jemi të ndryshëm,por na bashkon një ëndërr: të jemi qytetarë europianë. Më shumë se një dëshirë është një e drejtë.E drejta e një populli për të jetuar aty ku dëgjohet zëri i tij. Nuk ka rëndësi se sa të vështira janë rrethanat,ne përpiqemi të bëjmë më të mirën. Së bashku mund ta bëjmë atdheun tonë me status europian dhe me ndihmën e BE jo shumë larg do të jetë ajo ditë. Dhe ajo ditë do të shënojë fundin e një rruge të vështirë,plot peripeci.
Shqipëri në luftën për kauzën e demokracisë shënon gati tre dekada që lufton. Ky fakt tregon se nuk është e favorizuar nga historia për të krijuar reforma,të cilat gjejnë zbatim pa kundërshti në masë të gjerë. Kjo thuhet dhe nga historia e kombeve të tjera,të cilave u është dashur që të zhvillohen në një kohë relativisht të gjatë. Si aktore kryesore e këtij procesi politik cilësohet qeveria që duhet të frenojë faktorin pengues , kurse nga shqiptarët shihet një distancim që kurrsesi nuk duhet të jetë,por përkundrazi duhet të ushtrojë trysni të vazhdueshme mbi kabinetin qeveritar për të drejtat e tyre. Duke e vendosur demokracinë në kontekstin shqiptar shohim se faktorët pengues nuk janë të shumtë në numër,por përqafojnë një pjesë të madhe të popullsisë. Niveli ekonomik i pari. Nëse një shqiptari të varfër do kërkohej të zgjidhte mes demokracisë apo një vlere ekonomike ai do të zgjidhte këtë të fundit. Krimi I organizuar,i lidhur ngushtë me faktorin e parë pengon mirëfunksioninin e e ligjit. Braktisja e shkolave është një tjetër faktor,sepse vetëm një qytetar i arsimuar mund t’u përgjigjet kërkesave që parashtron integrimi I vazhdueshëm. Nëse faktorët e lartpërmendur prekin masën e gjerë të popullsisë,korrupsjoni dhe ndërhyrja e pushteteve te njëri-tjetri prekin administratën dhe sistemin gjyqësor. Korrupsioni si më I përhapur cungon dhe meritokracinë.
Roli që ka informimi është themelor për mbështetjen e demokracisë. Për shkak të globalizimit,sot është më e lehtë se kurrë të informohesh. Mediat televizive,gazetat,faqet online na ofrojnë shumëllojshmëri artikujsh në lidhje me ndikimin që do të ketë integrimi në dobësimin e faktorëve pengues të të drejtave. Megjithatë shfaqja e forcës së popullit përmes praktikave demokratike nuk ka munguar. Por të tilla nuk mund të cilësohen protestant opozitare ,në të cilat kryefjalë ishte dhuna , por vetëm protesta studentore. Nga ana tjetër organizatat joqevertare japin ndihmesën e tyre kur vendimet e qeverisë shkelin të drejtat.
Respekt i të drejtave të njeriut dhe funksionimi I demokracisë do hapin dyert një të drejteje të re : të drejtën për të qenë qytetarë europianë. Unë mendoj se rruga e integrimit drejt BE është më e mira për vendin tim,krahasuar me një forcim marrëdhëniesh me Rusinë. Është e drejta ime që të jem qytetar europian. Unë dua që në të ardhmen shteti im të më garantojë të gjitha liritë civile dhe juridike,meritokracinë dhe barazinë. Dua që nesër kjo Shqipëri që na mban mbi supe të ketë universitete me standarde europiane,të garantojë vende pune ku do të punësohen të rinjtë shqiptarë. Dua që të nesërmen të mos bjerë këmbana e alarmit se po largohen të rinjtë e këtij vendi. Ne të gjithë duam të vazhdojmë jetën në vendin ku u lindëm dhe u rritëm, por kjo e ardhme duhet ndërtuar. Të drejtën për të qenë europian populli shqiptar duhet ta fitojë si gjithë kombet e tjera. Dhe më pas shumë “sëmundje sociale”do të shërohen.
A do të ketë shpresë tani për hapjen e negociatave? Vështirë të thuhet. Komisionerët e Bashkimit Europian shprehen mjaft skeptikë dhe të ndarë në mendimet e tyre. Shqipëria nuk i ka përfunduar të gjitha reformat politike, kurse përmirësime urgjente kërkon ana e brendshme politike. Koha do të na kthejë një përgjigje,megjithatë beteja vazhdon. Duke vënë në dukje kontekstin shqiptar në lidhje me BE,qeverinë , shoqërinë dhe kauzën e saj shohim se na duhet më shumë informim për çdo fazë të integrimit. Informim,ndërgjegjësim dhe pjesëmarrje qytetare janë fjalët që na adresohen ne. E duke pritur udhëzimin e rradhës të partnerëve europianë nuk na mbetet gjë tjetër veçse të themi vetëm një gjë: “Europë, na prit”.
Sqarim: Punimet e eseve nuk përfaqësojnë qëndrimin e redaksisë “Historia Ime”, por vetëm qëndrimin e autorit/es.