Erinda Ballanca në krye të Institucionit të Avokatit të Popullit
Institucioni i Avokatit të popullit do të drejtohet nga një grua. Avokatja Erinda Ballanca është betuar sot në Parlament për të marrë drejtimin e tij.
Avokatja Ballanca është një nga emrat e propozuar nga Opozita si dhe figurë e njohur në përfaqësimin në gjykatë të disa çështjeve të rëndësishme të politikanëve shqiptarë ndër vite.
Kjo është hera e parë që institucioni i Avokatit të Popullit drejtohet nga një grua. AP është parashikuar për herë të parë në Kushtetutën e Shqipërisë në vitin 1998. Avokati i Popullit është institucion që mbron të drejtat, liritë dhe interesat e ligjshme të individit nga veprimet ose mosveprimet e paligjshme e të parregullta të organeve të administratës publike, si dhe të tretëve që veprojnë për llogari të saj.
Avokati i Popullit zgjidhet nga tre të pestat e anëtarëve të Kuvendit për një periudhë 5 vjeçare me të drejtë rizgjedhjeje.