Emigrantët/ Pasi “murosi” kufijtë, Hungaria ndërpret të drejtën e azilit
Nxehen tonet e përplasjes mes Hungarisë të Viktor Oban dhe pjesës tjetër të Bashkimit Europian.
Qeveria nacionalkonservatore e Budapestit, mori javën e kaluar një vendim per të blinduar 175 kilometrat e kufirit me Serbinë, me një mur të lartë 4 metra, për të frenuar valën e emigrantëve të paligjshëm.
Tani Hungaria ka njoftuar se do të pezullojë në mënyrë të njëanshme për një kohë të pacaktuar zbatimin e marrëveshjes të quajtur “Rregullorja e Dublinit 3”.
Kjo marrëveshje ka për qellim rregullimin e politikave të përbashkëta të 28 vendeve anëtare, në lidhje me sjelljet e autoriteteve kombëtare kundrejt emigrantëve.
“Varka është plot, për arsye teknike ne do të pezullojmë Rregulloren e Dablinit 3, për një kohë të pacaktuar, derisa strukturat nuk do të përshtaten”, ka thënë këshilltari i Viktor Oban.
Kjo do të thotë që Budapesti nuk do të pranojë më azilkërkuesit e regjistruar si të tillë në vendet e Bashkimit Europian.
Të menjëhershme dhe të forta ishin reagimet nga Brukseli:
“Kërkojmë një sqarim të menjëhershëm” ka thënë organi më i lartë i bashkimit, i udhëhequr nga Presidenti Jean- Claud Juncker.
Numri i hyrjeve të paligjshme Hungari është rritur në mënyrë të frikshme vitet e fundit: nga 2.000 në vitin 2012, në 43.000 vitin e kaluar, dhe 60.000 nga 1 janari deri në gusht të vitit 2015.
Pjesa më e madhe e emigrantëve vjen nga Afrika dhe nga Lindja e Mesme, dhe tenton të kalojë përmes Hungarisë për të kaluar në territore Austriake e më pas në Gjermani.