E drejta e mohuar, është diskriminim
*Nga Andi Bregu dhe Dorentina Hysa
Dikur është quajtur si një pjesë periferike e Tiranës, tashmë është në zonën e Bashkisë Kamëz; Paskuqani mbetet mes komunës dhe qytetit. Marr autobuzin e Linjës së Institutit, një autobuz i mbushur tej normave, ku njerëzit rrinë ngjeshur – ngjeshur pas njëri-tjetrit e ku mungojnë të gjithë elementët e përshtatshmërisë për personat me aftësi ndryshe për të pasur akses në transportin publik dhe nisem për të shkuar aty ku më pret Astrit Skana, një djalë i ri për të cilin fati nuk ka qenë një mik i mirë por dhe qyteti ku ai jeton nuk i jep mundësi të barabarta sikurse moshatarëve e tij.

Foto: Dorentina Hysa
Astriti është një djalë i ri 29 vjeç, i cili para 6 vitesh ka qenë viktimë e një aksidenti, ku nga konflikti me armë mes disa personash, një plumb rastësor e godet atë në shpinë duke prekur dhe dëmtur rëndë shtyllën kurizore. Prej atij momenti fatal ai është dashur të përdorë karriken me rrota për të lëvizur.
“Kam bërë një trajtim në Itali para disa vitetesh”, – thotë Astriti – “aty mjekët më kanë ndihmuar me hemoragjitë dhe me fizioterapi. Nga trajtimi fillestar që kisha marrë në spitalet shqiptare ishte bërë një mjekim i pakujdesshëm dhe jo i plotë ndaj mundësia e vetme për të lëvizur mbetej karroca me rrota’’.
Pasi kthehet në Tiranë në zonën e tij të banimit, Astriti duhet domosdoshmërisht të ndjekë trajtimet e mëtejshme e të vazhdueshme shëndetsore, duke i përfshirë me shkallë: nga mjeku i familjes, Qëndra Shëndetsore Laboratorike e ndodhur në Babrru dhe Poliklinika e Specializuar e Paskuqanit. Astriti shprehet se gjëja më e vështirë në këto 6 vite ka qenë mungesa e aksesit të paktën në institucionet publike. Ai shton se “as në spitale, as në gjykatë, as në parkingjet publike, askund nuk ka infrastukturë të përshtatshme për personat me aftësi të kufizuara.” Mungesa e aksesit, jo vetëm që e ka rënduar dhe lodhur fizikisht Astritin, por dhe e ka penguar të marrë shërbimet e nevojshme.
“Kur shkoja tek mjeku i familjes ndonjëherë ndihesha i gëzuar për faktin se aty kishte vetëm një shkallë për t’u ngjitur, ndërsa kur shkoja tek poliklinika në Paskuqan qoftë për kontroll, qoftë për procedurat e kempit, ishte torturë më vete pasi edhe një rampë (mjet i pjerrët që vendoset në krah të shkallëve për të ndihmuar personat që lëvizin me karrocë) që ishte, ishte e papërshtatshme dhe e bllokuar, sikurse në ambjentet e brendshme të qendrës shëndetsore nuk kishte asnjë dhomë të përshtatshme për kontrollet shëndetsore.”

Foto: Dorentina Hysa
Astriti ka patur edhe një proces gjyqësor në të cilin është trajtuar çështja e tij e dëmshpërblimit si viktimë e pafajshme e një konflikti me të cilin nuk kishte të bënte fare, por rastësia e çoi në vendin e gabuar e në momentin e gabuar.
“Nuk e di si ta quaj, në është fatkeqësi apo tragjedi që prek të tërë si unë” -thotë Astriti. Ai shton se kur i duhej te shkonte në gjykatë, jo vetëm që i duhej të parkonte makinën me kilometra larg e me karrocë të shkonte deri tek gjykata për shkak se aty nuk ka asnjë parkim të dedikuar, por i duhej të ngjitej në një sallë gjyqsore në katin e katërt, në një ambjent ku nuk ka ashensor.
Çështja e Qendrës Shendetsore të Paskuqanit është një problem serioz jo vetëm për Astritin por dhe për disa persona të tjerë që banojnë në zonat e mbulimit prej kësaj qendre. Astriti shprehet me këto fjalë: “Janë të paktën 4 raste të tjerë që i njoh unë, të cilët kanë thuajse të njëjtin problem: ata nuk munden dot në mënyrë të pavarur të shkojnë dhe të marrin shërbimin e nevojshëm në këtë qendër shëndetsore.” Nga një burim mediatik thuhet se në Poliklinikën e Paskuqanit në vitin 2010 janë investuar 28 milion lekë nga buxheti i shtetit në mënyrë që ndërtimi i kësaj qendre të jetë kundrejt të gjithë standardeve të nevojshme duke përfshirë aksesueshmërinë.
“Kur shkoja në këtë qendër shëndetsore pasi kapërceja vështirësinë e të ngjiturit lart, vizitat më duhet ti bëja nëpër korridore, sepse nuk kishte ambjente të përshtatshme për personat me aftësi të kufizuara e po njëjtë kushtet higjeno-sanitare ishin totalisht të papranueshmë jo vetëm për personat që lëvizin me karrocë por edhe për personat e tjerë që lëvizin normalisht.”

Foto: Dorentina Hysa
Nga Qendra Shëndetsore, asnjë prej personelit nuk pranon të flasë publikisht për këtë problem në lidhje me aksesueshmërinë e qendrës, por vetëm në mënyrë informale një mjeke e cila nuk do të identifikohet, thotë se këto probleme kanë qenë prezente në të shkuarën.
Sidita Fortuzi dhe Ledia Muraku janë dy avokate pranë Fondacionit Shqiptar për të Drejtat e Personave me Aftësi të Kufizuara. Ato janë njohur me këtë rast rreth 1 vit më parë kur Fondacioni ngriti një grup vetëadvokuesish nga grupi i personave me aftësi të kufizuara mbi çështjet e diskriminimit, Astriti ishte njëri prej atyre personave që u bë pjesë e grupit të vetëadvokuesve duke e referuar çështjen e tij. “Kur e dëgjuam problemin e Astritit vumë re elementë të dukshëm të diskriminimit,” thotë Ledia. Ajo shton se janë disa Ligje dhe Konventa që detyrojnë institucionet publike dhe shtetin që të plotësojnë një sërë standartesh në lidhje me përshtatshmërinë e nevojshme për personat me aftësi të kufizuar për të pasur akses të barabartë në marrjen e shërbimeve.
Neni 18 i Kushtetutës së Shqipërisë shprehimisht jep garanci të plotë për barazinë e të gjithë shtetasve dhe në pikën 2 të tij thuhet se askush nuk mund të diskriminohet padrejtësisht. Detyrimet ligjore u japin përcaktime specifike institucioneve për të garantuar akses të plotë e të barabartë për të gjithë personat.
Ligji Nr. 93/2014 “Për Përfshirjen dhe Aksesueshmërinë e Personave me Aftësi të Kufizuara” në nenin 4 në pikën ç) përcakton detyrimin për: “garantimin e aksesueshmërisë nëpërmjet mënjanimit të pengesave të të gjitha llojeve” gjithashtu në nenin 2 të këtij ligji thuhest se “Politikat shtetërore mbështesin personat me aftësi të kufizuara që të kenë akses në të gjitha sferat e jetës” veçanërisht pika e) e nenit 2 përcakton “garantimin e aksesit në shërbime shëndetsore përmes infrastukturës së përshtatshme.”
Mosmarrja e shërbimit shëndetsor të përshtatshëm në kushtet e mungesës së aksesit në bazë të ligjit Nr.10221 të dates 4.2.2010 “Për mbrojtje nga diskriminimi” përkatësisht të nenit 5 “Mohimi i përshtatjeve të arsyeshme për personat me aftësi të kufizuara përbën diskriminim”. Janë dhe Vendimet e Këshillit të Ministrave veçanërisht ai për “Përcaktimin e masave për mënjanimin e pengesave në komunikim dhe infrastrukturë në ofrimin e shërbimeve publike për personat me aftësi të kufizuara” të cilat detyrojnë të gjitha institucionet të marrin masa të menjëhershme për të eliminuar të gjitha pengesat e mundshme që nuk i lejojnë individët të kenë akses pavarësisht aftësive të tyre.
“Duke u bazuar në të gjitha këto elementë Ligjor, duke bërë dhe verifikimet e nevojshme në terren, rasti i Astritit përbënte diskriminim, ndaj i’u ofrua asistencë juridike për t’iu drejtuar me një ankesë Komisionerit për Mbrojtjen nga Diskriminimi, me shkakun diskriminim për arsye të aftësisë së kufizuar nga Poliklinika e Specialiteteve Paskuqan.” – thotë Ledia.
Rasti i Astritit përbën dhe një shërbim komunitar pasi zgjidhja e problemit të aksesit në Poliklinikën e Paskuqanit, i vjen në ndihmë edhe personave të tjerë në atë komunitet. Ledia shprehet se grupi vetëadvokues kishte për qëllim fuqizimin e personave me aftësi të kufizuara për të ngritur çështje të cilat përbëjnë diskriminim dhe se tashmë ato kanë disa raste të tjera që po i ndjekin dhe zgjidhja e tyre nuk është vetëm një e mirë për personin referues por është një zgjidhje për të gjithë personat të cilët preken nga i njëjti problem.
Në Shqipëri janë rreth 137 000 raste të personave me aftësi të kufizuara sipas gjetjeve të CENSUSIT të vitit 2011, ku sipas referimit të Konventës së OKB-së për të Drejtat e Personave me Aftësi të Kufizuara, aftësia e kufizuar është në disa forma të ndryshme si në shikim, dëgjim, fizike, intelektuale. Aksesi ndaj personave me aftësi të kufizuara në Shqipëri është shumë i ulët, mungojnë interpretët e gjuhës së shenjave për personat që nuk dëgjojnë, mungon sinjalistika e përshtatshme në rrugë dhe shkronjat Brail për personat që nuk shikojnë, nuk ka standarde të përshtatshme në rrugë, në institucione publike e private, mungojnë rampat e të gjitha këto e bëjnë shumë të vështirë aksesin për Personat me Aftësi të Kufizuara.
Përshtatshmëria është një term i përgjithshëm që përdoret për të përshkruar shkallën, bazuar në të cilën një produkt (pajisje, shërbim apo mjedis) është i arritshëm nga një numër sa më i madh personash. Përshtatshmëria është një koncept i lidhur ngushtë me projektimin universal. Pa garantimin e përshtatshmërisë personat me aftësi të kufizuara, do e kishin shumë të vështirë jetesën e tyre të pavarur, ndaj përshtatshmëria nuk është vetëm një e drejtë, por një parakusht për gëzimin e të drejtave të tjera.
Suela Lala është juriste dhe aktiviste e njohur për çështjet e aftësisë së kufizuar. Ajo shpjegon se harta e aksesit është shumë e vogël me institucionet shqiptare saqë nuk ka patur fare impakt. “Aksesueshmëria është problematikë e rëndësishme në të gjitha fushat si infrastuktura, transporti, informacioni, shërbimet” – thotë Suela.
“Janë të shumtë rastet që përbëjnë diskriminim, por ato duhet të raportohen individualisht dhe mjafton të provohet se një person është i privuar nga shërbimi përkatës i barasvlefshëm për të tjerët për ta qaujtur atë diskriminim.”- vazhdon ajo. Se kush ka përgjegjësi për kushtet e dobëta të përshtatshmërisë, Suela thotë se përgjegjësia ndahet tek të gjithë, qeveria qendrore që duhet të forcojë aspektin ligjor, pushteti vendor që duhet të zbatojë planet urbanistike në standartet e duhura, agjencitë mbikqyrëse e kontrolluese që duhet të bëjnë verifikmet për zbatimin e ligjit, e institucionet publike e private që duhet t’i binden ligjit.
Në mbledhjen e parë të këshillit bashkiak me 24 administratorët e deleguar të njësive bashkiake të Tiranës, Erion Veliaj në cilësinë e Kryetarit të Bashkisë dha një urdhër për të bërë verifikimin e të gjitha godinave në varësi të bashkisë Tiranë dhe të merren masa që brenda një periudhe të shkurtër, të bëhet zhvendosja ose përshtatja e ambjenteve në mënyrë që të gjithë qytetarët të kenë akses në marrjen e shërbimeve.
Këshilli i Ministrave në vitin 2015 me propozim të ministrit të Mirëqënies Sociale dhe Rinisë, vendosi për përcaktimin e masave për zbatimin dhe unifikimin e rregullave, në bazë të të cilave mënjanohen pengesat mjedisore dhe infrastrukturore për të bërë të mundur aksesin në strehim, transport, shëndetësi, kujdes social, arsimim, punësim dhe shërbime për personat me aftësi të kufizuara.
Prespektiva politike dhe vendimmarja qendrore e lokale po bëjnë një qasje bashkohore për çështjen e aksesit për personat me aftësi të kufizuara, si një e drejtë e pamohueshme e mbi të gjitha për të plotësuar ato standarde të cilat janë kushte për integrimin e vendit në Bashkimin Evropian.
*Ky artikull u realizua për Historia Ime, si pjesë e Shkollës Verore “Multimedia dhe Aktivizmi 2016” nga Andi Bregu dhe Dorentina Hysa