Do shtëpi? Jo. Je i mallkuar sepse je rom
Një komunitet ‘i vogël’ rom, që jeton prej 20 vitesh në Shkozë, i ngulur fill pas Banesave Sociale, ka kërkuar që të asistohen nga Bashkia me banesa njëkatëshe, me mundësi pagese favorizuese për ta. Zhurma dhe kakofonia e krijuar për problemet e tyre, premtimet e vazhdueshme kanë dalë blof, ndaj ata kanë filluar t’i marrin vetë fatet e tyre në dorë. Por sapo shtrohet për zgjidhje problemi i tyre, askush nuk përgjigjet duke të treguar sesa seriozisht e ka me ta shteti ynë…
Nga Ben Andoni
“Që të aplikosh për një banesë sociale, të duhen një sërë dokumentesh. A mendon ti, të paktën me këto që sheh, se këta njerëz këtu mund të plotësojnë kërkesat për banesa sociale?” Orkida Driza, një grua e re rome, me një shqipe të pastër të rreshton sakaq një sërë kërkesash, që duhen përmbushur, mu në oborrin e Banesave Sociale në Shkozë, të plotësuara me banorët e parë, pak ditë të shkuara. “Kujton se nuk jemi përpjekur?!”. Askush nuk të dëgjon dhe na sorollatin, shton duke veçuar disa të komunitetit të vet që i kërkojnë ndihmë për diçka. 35 vjeçarja që prej një viti është gjyshe dhe ky sens e bën t’i duket vetja dyfishin e moshës ekzistuese. Sapo e mbyll artikulimin e saj të saktë, shmanget pak më tutje. Një rom përbri fillon më flet pakuptueshëm, pastaj i shan të gjithë përreth dhe kërcënon këdo…Ka disa sy vrasësi dhe një dobësi të frikshme, që zakonisht u shkon njerëzve që punojnë në punë të rënda fizike. Nuk dëgjoj shumë, por më intereson se deriku ka arritur përpjekja e tyre.
Pak ditë më parë, aktivistët romë, të mbështetur nga Fondacioni SOROS, falë një bashkëpunimi me këtë komunitet, kanë ndihur idenë e vetë banorëve që jetojnë pas murit të Banesave Sociale në Shkozë, për ndërtimin e banesave njëkatëshe dhe urbanizimin e vendbanimit të tyre. Ata propozojnë që këtë investim të cilin e kërkojnë nga bashkia ta shlyejnë në kohë mbështetur në situatën e tyre ekonomike. Ministria e Zhvillimit Urban, dy vitet e fundit ka vënë në dispozicion një fond në formën e granteve të vogla me qëllim përmirësimin e kushteve të jetesës së komunitetit rom dhe egjiptian. Dhe ideja është që një pjesë e fondeve të alokohen edhe për komunitetin rom dhe egjiptian, i cili jeton në kushte të vështira në qytetin e Tiranës. Bashkisë i duhet vetëm të hartojë një projekt për zonën e Shkozës dhe ta dorëzojë atë në Ministrinë e Zhvillimit Urban në mënyrë që vitin e ardhshëm sa më shpejt që të jetë e mundur të nisë puna për të ndryshuar jetën e dhjetëra familjeve që kanë jetuar për 20 vjet në kushte skandaloze.
…
Orkida rikthehet. Së pari, na duhet të verifikojmë pronësinë, më sqaron por është e vështirë edhe të aplikosh sepse të gjitha institucionet nuk na përfillin. “Ndaj, jemi kështu!” Hap krahët, ku përreth një ngrehinë dërrasash, plastmasës, llamarinash formojnë ngulmimin e këtyre që quhen Romët e Shkozës.
Nuk duam të futemi në përshkrime, por mali me plehra që jeton me ta, ka të gjithë gjeografinë e mundshme të gjërave, që i shkon ndërmend një qenie. Ka shishe, kanaçe, hekurishte, tela, orendi, dërrasa, të pëgëra (ngado), veshje, tuba, orendi, xhama, plastika, orendi elektronike, këpucë… Ndaloj të bëj më përshkrime ashtu si edhe të merrem me dëgjime boshe.
Vetëm se, një moment nuk mund të mos dëgjosh rrëfimin për vdekjen e fëmijës së tretë në një familje. Të ngjeth. Pak muaj më parë, historia e vdekjes së dy romëve të tjerë të vegjël zuri të gjithë edicionet. Arsyeja? Prej të ftohtit. Prej mungesës së kujdesit. Infermierët as nuk u afroheshin. Bashkë me një grup prej tyre rrotullohemi në një labirinth plehrash, ku jetohet; ngrihen shtëpi; planifikohet; vdiset. Disa romë futen në një barrakë, seç thonë. Dalin. Hynë. Ngushëllimi s’ka vend. Është bash familja e fëmijës. Por, tragjik është paradoksi. Që do të thotë se i ati u end dy ditë, që të gjente një arkivol dhe autoritetet e bashkisë apo atje ku e drejtua ia kthenin. “Po ti qenke veshur mirë, pse kërkon arkivol atëherë”. Në këtë gradë jemi, ma pret një grua. Flasin njëzëri. Por, kur bëhen disa, sakaq harrohet vaji, trishtimi dhe një ndjenjë shkujdesje natyrale buron vetvetiu. “E kupton sa vështirë është që ne të kemi mundësi të bëjmë dokumente, kur ne nuk kemi para edhe për një arkivol”, më thotë aktivistja, një vajzë simpatike që është tejet aktive. Po, por janë të veshur disa shumë mirë dhe janë me iphone, pyesim. Ngre supet. Paradoksi jeton me pamundësinë.
Barakat e Shkozës, ku këta të ngratë mbijetojnë, janë një ngulmim pak më shumë se 20vjeçar mbushur me barraka, që në dimër kthehen krejt të pabanueshme. Janë në bregun lindor të Lanës që vjen nga ishUzina e Autotraktorëve mes plehrave të zonës dhe të atyre, që romët i mbajnë pranë vetes t’i shesin dhe të vazhdojnë jetesën me shitjen e kanaçeve dhe plastikave. “Por edhe riciklimit po i vjen fundi dhe shteti është shumë i egër me ta”, më thotë aktivistja, që më ndihmon në çdo moment. Shikojmë. Fotografojmë. Ata ankohen. Të duhet të shmangesh pasi do mbetesh dhe nuk do mësosh asgjë. Dhe, nuk ka nevojë, pasi prej gazetarisë të gjithë jemi bërë si shumë melodramatikë. Kronikat janë njësoj, me fjalë patetike: Vdesin të rinj. Jetojnë keq. I nëpërkëmbin. I shpërdorojnë në të gjitha aspektet. Vuajnë. S’kanë akses. Por, më vjen ndërmend, sesa i dobishëm do të isha unë dhe kolegët e mi, sikur të flinim në këto kinse barakat e tyre, që janë bashkimi kuturu i disa ristelave dhe dërrasave. Po sikur të gjenim dhe të ndiqnim vetë për mafien e prostituimit dhe lypjes, për dhunën çnjerëzore që kapot e fshehur ushtrojnë mbi ta dhe për të cilën s’hapet gojë. Meditimi ndërpritet, teksa një njeri me takien e një kleriku, më bën me shenjë, të na tregojë xhaminë e tij të vogël. “A ke besimtarë? Çfarë u thua në xhuma?” Nuk ka zë, ndërsa një buzëqeshje i ndrit fytyrën dhe është i qetë me fytyrën e vet. “Nuk vjen askush, thotë me një zë krejt pa tonalitet dhe që shqiptohet me firomë, si u ndodh zakonisht njerëzve të dëmtuar pas ndonjë operacioni. Po por nuk u fale pesë herë çfarë besimtari je?”…
Mundimi për një banesë
Por, shpresa lind atje ku duket se nuk ekziston. Mu pikërisht në këtë komunitet, pak mëndje ndryshe, të asistuar edhe nga aktivistët kanë pjekur idenë e mrekullueshme, që për shkak të pronësisë shtetërore të tokës ku gjenden, të ndihmohen për ndërtimin e disa banesave të ulëta, që të zëvendësojnë barrakat e tyre. Ka qenë një premtim i kahershëm i Bashkisë së Tiranës për t’i dhënë fund problemit të strehimit të tyre, që kuptohet se ka qenë thjesht për fushatë apo kushedi se çfarë…Në këtë vazhdë, pyesim kryetarin e ri të Bashkisë. “Nga personeli i dikurshëm kemi marrë në dorëzim shumë angazhime dhe asgjë të realizuar dhe me mungesa të mëdha në dokumentacione. Është një situatë konfuze. Do të jetë një nga prioritetet e mia dhe të stafit tim, ashtu si edhe kam folur shpesh për këtë komunitet dhe të tjerët”, është shprehur për ne Erion Veliaj.
Në fakt, kohë më parë duke marrë parasysh se shumë prej tyre, nuk dinë shkrim e këndim, i janë drejtuar PNUDit për hartimin e dosjeve të përfitimit të strehimit. Një organizate e specializuar në fushën e shërbimeve ligjore e administrative, asistuar prej organizatës ka ndihmuar në përgatitjen dhe dorëzimin e 40 aplikimeve për banesa sociale nga komunitetet rome e egjiptianë, të cilat kishin kërkuar ndihmën e organizatës në fjalë për t’i ndihmuar. “Por vlerësimi i aplikimeve nga bashkia nuk ka filluar për asnjë nga aplikantët”do shprehej për median atëkohë zyra e shtypit të PNUDit.
Paradoksi
Kur flitet për programet sociale të strehimit, banorët romë nuk kanë mundësi për të aplikuar dhe përfituar. Për hir të së vërtetës, edhe pse kemi qenë në dekadën rome në këto 10 vjet programet e strehimi social nuk kanë funksionuar. Këtë situatë e ka denoncuar shpesh Avokati i Popullit Igli Totozani, kurse në debat me znj. Andoni, Drejtoren e Entit Kombëtar të Banesave, i ka shprehur hapur predispozitën e munguar të shtetit. Kjo e fundit ka këmbëngulur se familjeve me pamundësi, përfshirë edhe familjet rome, do të marrin para në dorë nga shteti për të paguar shtëpitë me qera për 2 vjet, kur u prishen ose përdoren në ndërtime. “Për ta ekziston një barazi formale, por jo thelbësore. Romët s’mund të konkurrojnë njëlloj si qytetarët e tjerë. Ne kërkojmë banesa të përhershme. Edhe sikur të ndodhë që pas dy vjetësh të flitet për banesa, sërish duhet ndryshuar ligji që romët të plotësojnë kriteret. Dhe, të gjithë e dimë, u është drejtuar zonjës në fjalë dhe të tjerëve se romët nuk mund të plotësojnë asnjë kriter. Nëse ata nuk konsiderohen një grup në risk, nëse ata nuk përfitojnë në mënyrë të arsyeshme, problemi i tyre do të mbetet i pazgjidhur.”
Grup në rrezik
Por, nëse do flisnim teknikisht edhe personat që përfaqësojnë shtetin, e kanë të kufizuar kuadrin ligjor dhe nuk mund të dalin jashtë tyre. Kur futesh në brendësi të shqetësimit të tyre kupton se ka një disakordancë të dikastereve të ndryshme, por edhe mospërmbushjen e obligimeve që qeveria ka përballë BEsë. JO më kot, tashmë, vetë romët kanë kuptuar se topi ka mbetur tek ata. Orkida, një nga përfaqësueset më të zellshme, më thotë se po përpiqen për dokumentacionin, kurse ajo vetë këtë mes shtatori po asiston mbas shkolle 35 fëmijë, që i ndihmon për detyrat. “Ishin 50 një vit më parë, por zakonisht përfundojnë vetëm 5 fëmijë në shkollë. U duhen prindërve, që i tërheqin menjëherë”
Në fakt, me kushtet e Shqipërisë, ligji për strehimin social duhet të ndryshojë pasi aktualisht ai ndihmon familjet me të ardhura të mesme ndërkohë që të ardhurat e tyre janë rastësore dhe për shkak të punës në të zezë skualifikohen nga programet kryesore të strehimit. Aftësia paguese e tyre është minimale. Burokratët tanë janë të ngurtë në kategoritë e të pastrehëve dhe nuk kanë ende alternativa për ata që s’mund ti përgjigjen kriterit ekonomik.
Dhe, e fundit. Dhe jo pa rëndësi, buxheti i strehimit social duhet të rritet pasi p.sh. për vitin 2016 dhe 2017 qeveria nuk ka parashikuar asnjë fond për të ndërtuar banesa sociale pasi “fokusi kryesor është programi i kredisë së subvencionuar i cili nuk mund t’i shërbejë familjeve të varfra për shkak se ato nuk mund të marrin kredi në bankë për të blerë një banesë”, thotë aktivistja.
Duket pak si situatë e pashpresë, por duam të besojmë në energjinë e kryetarit të ri të bashkisë dhe stafit të tij, por më shumë zgjimit të ndërgjegjshëm të këtyre banorëve. Dhe puna ka filluar me sensibilizimin, tashmë duhet të Bashkia të jetë serioze. Orkida rikthehet tek fëmijët e saj dhe u tregon klasën. Ah, vajzat e vogla ndërkohë kanë bërë një Miss të vogël provizor dhe rrobat më të mira kanë dalë nga plehrat. Shkel me kujdes në tokë. I sikletosur. Largohemi, me shpresë se mbase po vjen edhe ora e tyre. Vjeshtë 2015.
Komuniteti rom i Shkozës, kërkon t’i bëhen ndërtesa
Për javanews.al, znjsh. Brisilda Taço, aktiviste e komunitetit rom shprehet për pamundësinë e strehimit të komunitetit dhe sesi përplasja e institucioneve dhe kriteret e munguara bëjnë që këta të mos marrin dot asgjë…
Intervistoi BEN ANDONI
Ideja që ka lulëzuar nga komuniteti rom i Shkozës për të pasur ndërtime njëkatëshe, pranë Banesave Sociale, duket një zgjidhje e mire. Çfarë mendoni se e pengon shtyrjen më tej të këtij projektideje?
“Komuniteti i Shkozës jeton në vendbanimin me baraka prej rreth 20 vitesh. Ata jetojnë në një gjendje jashtëzakonisht të keqe por gjithsesi mbijetesën e kanë siguruar vetë përmes punës e mësëshumti mbledhjen e mbetjeve të riciklueshme. Është një komunitet që e do punën dhe është i gatshëm për të marrë përgjegjësi. Kërkesa e tyre është një dëshmi e qartë se ata nuk i pranojnë kushtet ku gjenden dhe kërkojnë kushte jetese dinjitoze, pra gjendja ku gjenden nuk ka qenë zgjedhje e tyre por detyrim i dhunshëm si pasojë e braktisjes nga shoqëria dhe institucionet. Propozimi i tyre është shumë i mundshëm dhe institucionet sidomos Bashkia Tiranë duhet ta shqyrtojë me seriozitet kërkesën e tyre. Toka ku familjet janë vendosur është shtetërore dhe është krejtësisht e mundshme që institucionet të bashkëpunojnë me komunitetin dhe të zhvillojnë një investim për strehimin e tyre duke i ndihmuar të dalin ferri i 20 viteve të dështimit të politikave sociale dhe atyre të punësimit. Pengesa e vetme është vullneti i institucioneve, legjislacioni që mund t’i japë zgjidhje këtij rasti ekziston, fondet gjithashtu, mungon veç veprimi nga ana e institucioneve”.
Ka pasur një sugjerim dikur nga Ministria e Çështjeve Sociale se ata mund të strehoheshin edhe pa i përmbushur kushtet që kërkohet për banesë sociale. Pse u la kjo ide në mes?
“Problemi me strehimin social është i gjerë dhe përfshin shumë kategori shoqërore, të cilat vuajnë nga mungesa e strehës. Ne presim që ligji për strehimin social të ndryshojë pasi aktualisht shërbehen familjet me të ardhura të mesme ndërkohë që ato që kanë të ardhura të ulëta apo të paverifikueshme për shkak të punës në të zezë skualifikohen nga programet kryesore të strehimit pasi nuk kanë aftësi paguese. Programet e strehimit duhet të marrin në konsideratë një numër më të madh kategorish të pastrehësh dhe jo vetëm ata që mund ti përgjigjen kriterit ekonomik. Gjithashtu është me rëndësi që buxheti i strehimit social të rritet pasi p.sh. për vitin 2016 dhe 2017 qeveria nuk ka parashikuar asnjë fond për të ndërtuar banesa sociale pasi fokusi kryesor është programi i kredisë së subvencionuar i cili nuk mund t’i shërbejë familjeve të varfra për shkak se ato nuk mund të marrin kredi në bankë për të blerë një banesë”.
Ndërkohë bashkia ka të drejtë që në funksion të strehimit të mundësojë aplikimin për fonde nga Ministria e Zhvillimit Urban. A ka ndodhur një gjë e tillë në ditët e fundit, me njohuritë tuaja?
“Po është krejtësisht e mundur. Dy vitet e fundit Ministria e Zhvillimit Urban ka vënë në dispozicion një fond në formën e granteve të vogla me qëllim përmirësimin e kushteve të jetesës së komunitetit rom dhe egjiptian. Fondet janë zbatuar në zona të ndryshme (Lushnje, Berat, Lezhë dhe Elbasan). Ka ardhur koha që këto fonde të alokohen edhe për komunitetin rom dhe egjiptian, i cili jeton në kushte të vështira në qytetin e Tiranës. Duhet theksuar që numri më i madh i familjeve që jetojnë në baraka apo në kushtet e një strehimit të pasigurt është i vendosur në Tiranë. Bashkia e Tiranës duhet të hartojë një projekt për zonën e Shkozës dhe ta dorëzojë atë në Ministrinë e Zhvillimit Urban në mënyrë që vitin e ardhshëm sa më shpejt që të jetë e mundur të nisë puna për të ndryshuar jetën e dhjetëra familjeve që kanë jetuar për 20 vjet në kushte skandaloze. Sekreti i suksesit të kësaj nisme do të ishte bashkëpunimi i ngushtë midis institucioneve dhe komunitetit në mënyrë që zgjidhja të përputhet me nevojat e komunitetit sikurse familjet të marrin përsipër përgjegjësinë e tyre gjatë ndërtimit të banesave. Gjithashtu sugjerimi është që banesat të jepen në përdorim për një periudhë të arsyeshme dhe më pas nëse familjet respektojnë detyrimet kontraktuale banesa të kalojë në pronësinë e tyre”.
Kryetari i ri i Bashkisë, Erion Veliaj: “Nga personeli i dikurshëm kemi marrë në dorëzim shumë angazhime dhe asgjë të realizuar dhe me mungesa të mëdha në dokumentacione. Është një situatë konfuze. Do të jetë një nga prioritetet e mia dhe të stafit tim, ashtu si edhe kam folur shpesh për këtë komunitet dhe të tjerët”…
Vërtetë romët mund t’i plotësojnë këto?
Dokumente për statusin e strehimit
1.Vërtetim nga Zyra e Regjistrimit të Pasurive të Patundshme që nuk ka të dhëna mbi pronësinë e shtëpisë në emër të personit që kërkon strehim dhe pjesëtarëve të familjes së tij.
2.Vërtetim nga Zyra e Regjistrimit të Pasurive të Patundshme për sipërfaqen e pronës që zotërohet nga familja ose nga ndonjëri prej pjesëtarëve të saj.
3.Vërtetim nga Zyra e Regjistrimit të Pasurive të Patundshme mbi disponueshmërinë e pronësisë së çdo godine, e cila mund të përdoret si një godinë banimi.
4.Nëse është me qira, kontrata e qirasë e nënshkruar në praninë e Noterit.
5.Nëse jetoni në një banesë me kushte jo të mira ose që rrezikon shembjen, kopja origjinale e vërtetimit të lëshuar nga Shërbimet Teknike të Bashkisë.
6.Në rastin e çifteve të reja, aktin e martesës dhe certifikatat për llogaritjen e moshës totale.
7.Në rast lëvizjeje për arsye punësimi, vërtetim nga Zyra e Regjistrimit të Pasurive të 8Patundshme e vendit të origjinës, që në emrin e aplikantit nuk ka asnjë të dhënë të ndonjë prone të regjistruar e cila mund të përdoret si banesë.
Dokumentet për aplikim për banesa Sociale
1.Çertifikata e lindjes së aplikantit dhe çertifikata familjare e tre muajve të fundit nga institucionet përkatëse.
2.Kopje e noterizuar e dokumenteve të identifikimit (pasaportës, çertifikatës personale).
3.Vërtetim që vërteton se jeni banor në njësinë bashkiake ku është paraqitur kërkesa.
4.Vërtetim punësimi nga punëdhënësi për çdo pjesëtar të punësuar ose të vetëpunësuar sipas kolonës 4 të nenit I të deklaratës. Vërtetimi duhet të shoqërohet me librezën e punësimit ose me kontratën e punësimit nga Instituti i Sigurimeve Shoqërore.
/javanews