Dita Ndërkombëtare e të Drejtave të Njeriut, 23 çështjet ku shkelen të drejtat e qytetarëve
Institucioni i Avokatit të Popullit rendit disa prej çështjeve ku qytetarëve shqiptarë u shkelen të drejtat.
Për çështje si: prona, shërbimet publike, administrata publike dhe largimet nga puna, shëndetësia, strehimi, arsimi, fëmijët në situatë rruge, mosha e tretë, komuniteti LGBT, dhuna ndaj grave etj., ky institucion u ka paraqitur vazhdimisht problematika organeve përgjegjëse, për të cilat nuk janë gjetur ende zgjidhje.
PRONA, SHKARKIMET, STREHIMI
STREHIMI/ Proçesi i tejzgjatur për kthimin dhe kompensimin e pronës, mosregjistrimi i titujve të pronësisë, regjistrimi fillestar i pronave në mënyrë të pasaktë, moskryerja e procedurës së kalimit në pronësi të pasurive të paluajtshme.
SHKARKIMET/ Në periudhën shtator 2013 – maj 2015, rezulton se ka 4093 punonjës të larguarn nga administrate publike, ku konstatohen parregullsi në procedurat e largimeve nga puna.
STREHIMI/ Pjesa më e madhe e familjeve që gëzojnë statusin e të pastrehut ene nuk mund të përfitojnë nga programet sociale për shkak të pamundësisë së tyre në përmbushjen e kritereve të prashikuara me ligj.
ENERGJIA, ARSIMI, BRAKTISJA
ENERGJIA/ Nuk ka ende një studim mbi ngritjen e skemave për konsumatorët që rezultojnë debitorë dhe që janë në pamundësi për të paguar faturat.
ARSIMI/ Rekrutimi i mësuesve në arsimin parauniversitar dhe largimet nga puna e shumë prej mësuesve, mbeten jo transparente. Një problem tjetër është ai i vonesës së pagave për muësuesit dhe testimi i tyre, i cili i ka sjellë arsimtarëve pasiguri për vendin e punës.
BRAKTISJA/ Braktisja e vendit nga shumë qytetarë të larguar nga Shqipëria të cilët kërkojnë azil në vendet e BE, është një tjetër problem në vendin tonë.
DREJTËSIA, SHËNDETËSIA
DREJTËSIA/ Vitin e fundit janë arrestuar e burgosur një numër i madh qytetarësh për kryerjen e veprave penale të ndryshme, kur arresti me burg mund të vendoset vetëm kur çdo masë tjetër sigurimi është e papërshtatshme, për shkak të rrezikshmërisë së lartë të veprës dhe të pandehurit.
SHËNDETËSIA/ Mosngritja e intitucionieve të posaçme mjekësore në vendet ku ka mbipopullim dhe moskryerje e detyrimeve ligjore nga personeli policor dhe shëndetësor në ambientet e sigurisë në raportimin e rasteve të ushtrimit të dhunës ndaj të arrestuarve.
FËMIJËT, GRATË, MOSHA E TRETË
FËMIJËT/ Fëmijët në situatë janë një tjetër problem i pazgjidhur në vendin tonë. “Një numër i konsiderueshëm të miturish në vendin tonë detyrohen të bëjnë punë të vështira, lypin në rrugë, gërmojnë në kazanë plehrash për të mbijetuar. Shumë të tjerë kanë braktisur shkollat si pasojë e varfërisë, por edhe e distancave të largëta të shkollave nga banesat e tyre”, denoncon Avokati i Popullit.
GRATË/ Çështje tjetër problematike konsiderohet edhe fuqizimi ekonomik, dhuna në familje, aksesi në shërbimet sociale e drejtësi, me të cilat përballen gratë në Shqipëri.
MOSHA E TRETË/ “Masa e pensioneve të pleqërisë është shumë e ulët dhe nuk garanton mirëqenien e tyre. Duhen ndryshuar kushtet e përfitimit të pensionit social, të pensionit të invaliditetit dhe atij familjar. Nuk kemi të shpallur ende nivelin minimal të standardit të jetesës në Shqipëri ose minimumin jetik”, thekson Totozani.
ROMËT, PAK, LGBT, ISH TË PËRNDJEKURIT
ROMËT/ “Romët sot janë një grup vulnerabël dhe në risk. Vërehen raste të përsëritura të zhvendosjes me forcë nga vendbanimet e komuniteteve rome, pa respektuar standardet dhe parimet ndërkombëtare të kësaj fushe”, argumenton Avokati i Popullit.
PAK/ Personat me aftësi të kufizuara kanë mungesë përshtatshmërie në ambientet publike dhe private, s’kanë akses në transport, në drejtësi, arsim, shëndetësi
LGBT/ “Në Shqipëri personat LGBT nuk gëzojnë të drejtën e martesës, unioneve civile etj. Nuk ka procedura për njohjen e gjinisë së ndryshuar.
ISH TË PËRNDJEKURIT/ Lidhur me ish të përndjekurit politikë, Totozani shprehet: “Sfidë mbetet përcaktimi i një afati ligjor, për përfundimin e procesit të dëmshpërblimit të ish të dënuarve të regjimit komunist. Këshilli i Ministrave nuk e ka miratuar ende skemën e pensionit, nga e cila do të përfitojë dëmshpërblimi financiar kategoria e personave të internuar ose të dëbuar gjatë regjimit komunist”
/l.k./