Dita Kundër Drogës, të rinjtë shpërndajnë mesazhin “Mbështet mos Ndëshko”
Organizatat Aksion Plus dhe Caritas kanë zhvilluar një aktivitet sensibilizues kundër përdorimit të drogës në plazhin e Golemit. Të rinj dhe vullnetarë kanë shpërndarë informacione sensibilizues për pushuesit dhe kanë folur për luftën kundër drogës.
Mesazhi i kësaj fushatë është “Mbështet, mos ndëshko” dhe bën fjalë për mos dënimin e përdoruesve të drogës nga shoqëria dhe ligjet por ndihmën përmes trajnimeve dhe terapisë. Gjithashtu kjo fushatë synon parandalimin e përdorimit të drogës nga të rinjtë, përmes sensibilizimit dhe nxitjes së aktiviteteve të shëndetshme.
“Qëllimi është se në kuadër të ditës kundër drogës, kemi menduar të bëjmë një aktivitet në Durrës për të sensibilizuar pushuesit sepse dihet që pjesa më e madhe e njerëzve janë në plazh. Kështu e kemi konceptuar, ndërsa ditën e hënë që është 26 qershori do të bëjmë aktivitete të tjera me ministrin e shëndetësisë me media me politikbërës” tha Genc Muçollari nga Aksion Plus.
Mirjona Taho përfaqësuese e Caritas, tha se është shumë e rëndësishme që ky mesazh sensibilizues po përcillet nga të rinjtë.
“Ne së bashku me Aksion Plus, kemi përgatitur një grup të rinjsh rreth 30 persona, që janë pjesëtarë të qendrës ditore Dritarja e Dijes nga Caritasi shqiptarë, ata janë angazhuar për të realizuar postera me mesazh sensibilizuar për luftën kundër drogës për të mbështetur dhe jo për të dënuar personat që konsumojnë drogë. Jemi të mbledhur të gjithë këtu për të shpërndarë informacionet për këtë fushatë, për të përcjellë mesazhet nëpërmjet të rinjve që është shumë e rëndësishme” tha ajo.
/l.k./