Dita Botërore për Zhdukjen e Varfërisë
Fillesat e Ditës Botërore për Zhdukjen e Varfërisë, janë që në 17 tetor të vitit 1987, kur qindra mijëra njerëz u mblodhën në Trocadero në Paris, aty ku është nënshkruar Deklarata Universale për të Drejtat e Njeriut në 1948-ën, për të nderuar viktimat e varfërisë së skajshme, dhunës dhe urisë.
Ata shpallën që varfëria është dhunim i të drejtave të njeriut dhe pohuan nevojën për t’u bashkuar dhe për t’u siguaruar që kjo e drejtë respektohet.
Që prej dhjetorit të 1992 kjo ditë u vendos nga Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara si “Dita Botërore për Zhdukjen e Varfërisë” dhe që atëherë, njerëz nga të gjitha shtresat, mendimet, mblidhen çdo 17 tetor për të treguar solidaritet me të varfërit.
Në këtë ditë ftohen të gjitha shtetet dhe organizatat jofitimprurëse, të kontribuojnë dhe të promovojnë aktivitete ndërgjegjësuese dhe konkrete në shtetet e tyre, në lidhje me zhdukjen e varfërisë dhe mjerimit.
Në Kosovë, në Ditën Ndërkombëtare për Zhdukjen e Varfërisë, Shoqata Humanitare dhe Bamirëse “Nënë Tereza”, do të zhvillojë disa aktivitete, të cilat kanë për qëllim lehtësimin dhe përmirësimin e kushteve të jetesës së familjeve në nevojë në Kosovë.
Sipas një komunikate të kësaj shoqate, në datat 22-25 Tetor, do të mirëpresë vullnetarë nga Anglia, të cilët mbledhin të mira humanitare si ushqim, veshëmbathje, materiale shkollore dhe higjienike dedikuar familjeve, individëve dhe institucioneve në nevojë të Kosovës. Këtë vit, përmes materialeve të mbledhura deri më tani në Angli, thuhet se do të përkrahen rreth 500 familje me 2,750 anëtarë, dhe 12 shkolla të mesme në rajonin e Prishtinës dhe Gjilanit.
Gjithashtu, me ndihmën e donacioneve nga Shoqata “Nëna Tereza” në Zvicër, në kuadër të Programit të Ndërtimit, janë ndërtuar 4 shtëpi të reja për familjet në nevojë në komunën e Gjakovës, Vushtrrisë, dhe Mitrovicës.
Ndërsa në Shqipëri që prej një jave, ka nisur “Java e Solidaritatetit”, ku nën nismën #TiranaDhuron, janë vendosur 12 kosha në rrugët e kryeqytetit, në mënyrë që kushdo të kontriboujë duke dhuruar diçka; veshje, ushqime apo sende të tjera që mund të ndihmojnë njerëzit në nevojë. /m.g/