Dje opinini publik u shkund e u trondit nga vrasja e një fëmije 8-vjeçar. Klodjan Çalamani, rrëmbeu, vrau dhe groposi vogëlushin 8-vjeçar me iniciale V. M.
Sigurisht lajmet më titullin “Krim makabër” në Fier dje i kemi lexuar të gjithë, por po dje na shkundi dhe e shkuara, me një shuplakë sy hapëse, duke shpresuar se herën tjetër do ta marrim dhunën më seriozisht.
Në vitin 2006, Klodjan Çalamani, në bashkëpunim me Florian Vasiun, ka rrëmbyer dhe ka torturuar një adoleshente 16-vjeçare me Inicialet N. R.
Gjithë drama e atyre viteve u zhvillua me një justifikim të thjeshtë. Vajza, 16-vjeçe asokohe, nuk i ishte përgjigjur ngacmimit të njërit prej autorëve. Skenar nëpër të cilin mund të kalojë çdo vajzë në vendin tonë.
Në sallën e gjyqit, vajza ka dëshmuar në lidhje me horrorin që ka përjetuar në duart e Klodjan Çalamanit dhe Florjan Vasiut. Pasi është joshur nga motra e Çalamanit, ajo e ka gjetur veten të marrë peng në banesën e këtij të fundit, nën tehun e një biçaku. Për minuta të tëra, e mitura është dhunuar, ofenduar e torturuar nga agresorët. Ndërsa Klodjani, pas dhunës çnjerëzore, me copat e thyera të një shishe birre, ka dashur ta presë e ta gjymtojë në pjesën e gjoksit.
Për këtë krim pararendës të horrorit që pamë dje, në vitin 2006, Klodjan Çalamani u dënua me 4 vite burg.
Sipas Nenit numër 110 të kodit penal, të vitit 1995, referuar heqjes së paligjshme të lirisë, ky krim dënohet me gjobë deri në shtatë vite burg.
Kështu, duke përfituar edhe nga gjykimi i shkurtuar, Çalamani vuajti 4 vite burg për vrasjen e parë, duke pasur kohë mjaftueshëm për të marrë jetën e një fëmije dje.
Krime të tilla të përsëritura nga individë me precedentë penalë, mund t’i shohësh gati përditë në Shqipëri. Shumë rrallë ndodh që dhuna ekstreme të lindë nga hiçi e të rritet po ashtu papritur.
Ky ligj qesharak dhe ky sistem drejtësie që kurrë nuk ka qenë në mbështetje të vajzave dhe grave, ditën që zgjodhi injorimin e krimit ndaj vajzës 16-vjeçare, me sa duket ja shtroi rrugën 38-vjecarit drejt marrjes së jetës së një fëmije. Sot po qajmë një fëmijë 8-vjeç, po bashkë me të na duhet të qajmë dhe sistemin që dështoi, si për vrasësin ashtu dhe për viktimat e tij. Sot një pjesë dërrmuese e opinionit publik kërkon dënimin me vdekje, duke arritur në ekstreme emocionale, por harrojmë që përditë injorojmë dhunën sistematike që i bëhet të dobëtit dhe kulmon me masakrimin e një fëmije./ Arjola Hajdini