Deti Mesdhe po kthehet një kosh mbeturinash plastike me 300 mijë tonë mbetje çdo vit
Deti Mesdhe po shndërrohet në një “kosh mbeturinash plastike” të rrezikshëm, me nivele rekord të ndotjes nga mikro dhe makro plastikë që kërcënojnë speciet detare dhe shëndetin e njeriut, sipas një raporti të ri nga grupi konservues WWF.
Raporti thotë se deri në 300,000 tonë plastikë përfundon në Mesdhe çdo vit dhe Turqia identifikohet si fajtori kryesor, pasuar nga Spanja, Italia, Egjipti, Franca, Algjeria dhe Greqia.
Përveç ndikimit në jetën detare, ekspertët paralajmërojnë se ndotja e Mesdheut ka një ndikim serioz në peshkim dhe turizëm. Është vlerësuar se mbeturinat detare i kushtojnë sektorit të peshkimit evropian 61.7 milion euro në vit si rezultat i të ardhurave të ulëta të kapjes, dëmtimit të pajisjeve dhe shqetësimit të konsumatorëve për cilësinë e peshkut.
WWF (World Wildlife Fund) bën thirrje për marrjen e masave të menjëhershme për të kontrolluar ndotjen e Mesdheut, duke përfshirë ndalimin ndërkombëtar të plastikës njëpërdorimëshe.
Gjithashtu WWF u kërkoi konsumatorëve që të zgjedhin produktet e bëra nga materiale të biodegradueshme, në vend të plastikës./M.B