Deklaratat e Maznikut, reagon Civil Rights Defenders: Si akuza të një shteti autoritar
Akuzat e nënkryetarit të Bashkisë së Tiranës Arbi Mazniku se organizatat e shoqërisë civile dhe Avokati i Popullit po e pengojnë Bashkinë të zgjidhë problemin e familjeve rome kanë shkaktuar reagimin edhe të organizatës suedeze Civil Rights Defenders, një prej organizatave kryesore që kanë asistuar familjet rome.
Të shtunën pasdite, nënkryetari i Bashkisë së Tiranës, z. Arbi Mazniku akuzoi gjatë një prononcimi për “Historia Ime” disa organizata të shoqërisë civile se po shqetësohen për çështje fondesh kur vjen puna te problemi i familjeve rome.
Mazniku tha shprehimisht: “Unë kam dyshime shumë të forta dhe këtë po ta them on the record dhe off the record që disa nga organizatat janë të trembura se po u ikën projekti. Se ekzistenca e këtyre këtu (romëve) ishte arsyeja që këta t’u tregonin ca ndërkombëtarëve tek të cilët marrin ca lek se shikoni çfarë halli të madh kemi ne. Mirëpo krejt papritur kur ikën halli thonë “po prit, si po na e hiqni këtë hallin”! Ka aty organizata edhe rome dhe jo rome që jetonin me këtë çështje”.
I menjëhershëm ishte reagimi i organizatës suedeze Civil Rights Defenders.
Në një deklaratë për “Historia Ime”, Vasilika Laçi drejtuese e programit të CRD për Shqipërinë u shpreh se “në vend që të jetë falenderues për kritikat dhe rekomandimet që vijnë nga shoqëria civile apo nga institucionet e pavarura, Bashkia e Tiranës bën të kundërtën; lëshon kritika që i shkojnë për shtat një shteti autoritar”.
Më poshtë deklarata e plotë e CRD:
Ne e përshëndesim vendosmërinë e Bashkisë Tiranë për ta “zgjidhur problemin” por nuk mendojmë se hapat që ka ndërmarrë i shërbejnë interesave të komunitetit Rom dhe Egjiptian. Zgjidhja e ofruar është zgjidhja më e mirë për bashkinë por jo për një nga grupet më të varfëra dhe më të diskriminuara në Shqipëri.
Ajo që i kemi rekomanduar Bashkisë është të bëjë një plan të mirëmenduar, të konsultuar me familjet e të jetë transparent me qytetarët si edhe organizatat e interesuara. Zëri i komunitetit duhet të dëgjohet!
Gjykojmë se në këtë rast Bashkia po bie në kundërshtim edhe me praktikën pozitive të punës sociale të kryer nga ekipi i Ministrisë e Mirëqenies Sociale dhe Rinisë nën drejtimin e Z. Veliaj. Në atë rast, u sigurua strehim alternativ i përkohshëm, në marrëveshje me familjet e dëbuara nga Ish-Artistikja, pranë rrugës së Kavajës.
Theksojme se në klimën e diskriminimit dhe skajëzimit të komunitetit Rom dhe Egjiptian, gjuha e përdorur në deklaratën e datës 2 tetor të Bashkisë si dhe trajtimi i cështjeve të këtij komuniteti më së shumti si problem ekologjik nuk bën tjetër vecse përforcon stereotipet negative dhe nxit urrejtjen ndaj tyre.
Në vend që të jetë falenderues për kritikat dhe rekomandimet që vijnë nga shoqëria civile apo nga institucionet e pavarura, Bashkia e Tiranës bën të kundërtën; lëshon kritika që i shkojnë për shtat një shteti autoritar. Duke sulmuar në këtë formë shoqërine civile, Bashkia e Tiranës nuk bën gjë tjetër veçse krijon një mjedis armiqësor e përçarës që e dobësojnë më tej demokracinë në Shqipëri.
Per akuzat e Maznikut dhe reagimin e Totozanit lexoni ne: