Degradimi i urgjencës, denoncojnë mjekët: “Drejtuesit nuk kanë guxim të njoftojnë që është mbyllur”
Urgjenca kryesore e Tiranës nuk ofron më asnjë shërbim mjekësor për qytetarët. Në një letër dërguar redaksisë së Pro Pacientit, ata tregojnë se së shpejti do t’i vihet dryni godinës që ka shërbyer për 25 vjet si urgjenca kryesore e kryeqytetit .
Edhe pse ministria e Shëndetësisë gjatë vitit të kaluar ka mohoi çdo pretendim se ky institucion do të shkrihet, duket se ky vendim tashmë është marrë.
Mjekët thonë se drejtuesit nuk kanë guximin t’i njoftojnë qytetarët për mbylljen e këtij shërbimi, duke i detyruar ata të përballen çdo ditë me revoltën e qytetarëve.
Letra dërguar redaksisë së Pro Pacientit:
Për qytetarët e nderuar të Tiranës
Jemi një grup i personelit mjekësor të Ish Urgjencës së Tiranës që kërkojmë mirëkuptimin e qytetarëve të Tiranës, në veçanti të banorëve të zonës afër, për punën në ish këtë urgjencë. Në kuadrin e reformës në shërbimin e urgjencës (sipas Ministrisë së Shëndetësisë) dhe të shkatërrimit të kësaj urgjence (siç është e vërteta) në këtë ndërtesë që funksionoi për 25 vjet, tani dhe në vazhdim nuk do të bëhen më vizita, injeksione dhe mjekime.
Ish drejtuesit hajdutë të këtij shërbimi bashkë me hajdutët dhe mashtruesit e rinj, nuk kanë guximin të vendosin një lajmërim që është shkrirë ky shërbim për qytetarët. Paaftësia, paturpësia dhe babëzia e tyre për të vjedhur sa më shumë mund të sjellë keqkuptime dhe acarime te panevojshme midis personelit dhe qytetarëve, siç ndodhi para disa ditësh në ambulancën e Kombinatit. Ne nuk besojmë të ndodh.
Edhe në qoftë se ndodh, ne e mirëkuptojmë revoltën e tyre dhe për këtë i falim nga ana jonë, pavarësisht se është faji i qeverisë dhe hajdutëve të saj. Ne gjithnjë kemi qenë në shërbimin tuaj dhe ju na keni mirëkuptuar për kushtet në të cilat kemi punuar: me autoambulanca të vjetra, pa pajisje mjekësore, pa oksigjen dhe pa ilaçet e domosdoshme. Për këtë gjë duhet t’ju falënderojmë për qytetarinë tuaj. Na vjen keq që ndonjë ditë të afërt këtë godinë mund ta shikoni të rrethuar me llamarina. Shumë shtetarë dhe politikanë shpesh edhe na kanë falënderuar për shërbimin që kemi bërë edhe brenda kësaj ndërtese, sidomos natën. Tani ka ardhur koha e reformave të mëdha në shëndetësi, që çdo shërbim shëndetësor për qytetarët t’i jepet privatit (me koncesion apo PPP). Edhe njëherë faleminderit për mirëkuptimin. Ne si gjithnjë do te jemi në shërbimin tuaj në çdo rast që ju do të keni nevojë për ne. FALEMINDERIT.
Video: Gjendja e urgjencës së Tiranës
/l.k./
Burimi: Pro Pacientit