COVID-19, punonjësit e seksit, njerëzit me HIV dhe të tjerë
Ndërsa vazhdon pandemia e koronavirusit të ri (COVID-19), janë dhënë këshillime për komunitetin e përgjithshëm, si dhe për grupe specifike.
Që nga kjo javë, udhëtarët që hyjnë në Australi, përfshirë qytetarët dhe rezidentët, zyrtarisht u kërkohet të izolohen për 14 ditë për të ndihmuar në parandalimin e përhapjes së virusit.
Edhe vende të tjera kanë krijuar kufizime të ngjashme udhëtimi.
Shumë biznese po inkurajojnë punonjësit të punojnë nga shtëpia ose të marrin pushime kur është e mundur.
Njerëzit që nuk duken të sëmurë mund të jenë asimptomatikë dhe t’ia transmetojnë virusin të tjerëve.
Njerëzit që jetojnë me HIV
Personat me imunitet të dobët, duke përfshirë ata njerëz që jetojnë me HIV dhe që kanë numër të ulët të qelizave CD4, janë në rrezik më të lartë të sëmuren rëndë nga COVID-19.
Federata Australiane e Organizatave të AIDS (AFAO) ka rekomanduar që të gjithë në bashkësi të praktikojnë larjen e shpeshtë të duarve dhe të mos prekin fytyrat e tyre.
Njerëzit të cilët nuk janë të shëndetshëm apo kujdesen për dikë që ka imunitet të dobët duhet të shmangin përqafimet, puthjet dhe çfarëdolloj kontakti tjetër intim me të tjerët.
AFAO ka rekomanduar që ata që marrin antiviralë apo medikamente të tjera, duhet të përpiqen të kenë mjekimin e një muaji shtesë në shtëpi në rast vonese furnizimi ose nëse do kenë nevojë të izolohen ose karantinohen.
Personat që përdorin PrEP, duhet të kontaktojnë mjekun e tyre nëse do kanë ndonjë shqetësim për lënien e takimeve të rregullta gjatë kësaj kohe.
Furnizimi me ilaçe pa recetë si paracetamoli nuk pritet të ndikohet nga pandemia, dhe prandaj nuk është e nevojshme të blihen me shumicë.
Edhe pse COVID-19 nuk ka lidhje me gripin, AFAO dhe Departamenti i Shëndetësisë kanë rekomanduar që të gjithë ta konsiderojnë vaksinimin e gripit nëse është e mundur, veçanërisht njerëzit që jetojnë me HIV ose me sëmundje të tjera kronike.
Probleme të tjera shëndetësore
Njerëzit me sëmundje të tjera kronike si astma, kanceri ose diabeti gjithashtu mund të rrezikojnë të sëmuren rëndë nga COVID-19. Edhe duhanpirësit mund të jenë në rrezik të shtuar.
Njerëzit e këtyre grupeve, si dhe njerëzit e moshuar dhe ata që jetojnë në kujdes rezidencial, këshillohen të marrin masa paraprake shtesë për të minimizuar rrezikun e tyre për kontraktimin e COVID-19.
Të gjithë njerëzit në komunitet mund të ndihmojnë nëpërmjet higjenës së plotë dhe distancimit social kur është e mundur, që të ndihmojnë në mbrojtjen e atyre që janë më të rrezikuar.
Punonjësit e seksit
Organizata e New South Wales për Projektin e Punësimit të Punonjësve të Seksit (SWOP) ka lëshuar një seri udhëzimesh të bazuara në prova për punonjësit e seksit.
Ajo rekomandon që punonjësit e seksit të marrin masa të ngjashme me punonjësit e kujdesit shëndetësor.
Këtu përfshihen masat paraprake universale siç është larja e duarve dhe përdorimi i masave mbrojtëse si maska e doreza.
Nuk ka asnjë provë që COVID-19 transmetohet përmes lëngjeve seksuale, megjithëse mund të transmetohet me pështymë, edhe kur një person i infektuar nuk ka simptoma.
Eskortat dhe punonjësit e tjerë që i takojnë klientë e tyre personalisht, mund të zvogëlojnë rrezikun e infektimit duke i vënë klientët të lahen që në mbërritje dhe të mos prekin fytyrat dhe gojën.
SWOP ka pranuar se vazhdimi i punës gjatë pandemisë mund të jetë i vështirë për punonjësit e seksit.
Klientët mund të shmangin takimet për shkak të distancës sociale, dhe të tjerë mund të mos jenë të kënaqur me praktikat e kufizimit të kontakteve që punonjësit mund të zgjedhin të përdorin.
Njerëzit që përdorin drogë
Organizatat për uljen e dëmit për personat që përdorin drogë, kanë këshilluar kujdes të shtuar në lidhje me kontrollin e infeksionit.
Koalicioni i Reduktimit të Dëmit të Iowa (IHRC) ka lëshuar udhëzime për përdorim më të sigurtë të drogës gjatë pandemisë, duke përfshirë minimizimin e ndarjes së shiringave injektuese ose paisjeve të thithjes së drogës dhe pirjes së duhanit.
Njerëzit duhet ti përgatisin vetë ilaçet nëse është e mundur, të lajnë duart dhe të dezinfektojnë sipërfaqet rregullisht.
Pandemia pritet të shkaktojë probleme me furnizimin me drogërat e paligjshme.
IHRC rekomandon që njerëzit që përdorin rregullisht opioide, të tilla si heroina, duhet të flasin me një mjek ose të pyesin shërbimin shëndetësor në lidhje me mundësinë e përdorimit të terapisë zëvendësuese, për të shmangur mungesat në trajtim.
Parashikimet e COVID-19
Ekspertët nuk janë akoma të sigurtë se kur do të arrijë pika kulmore e rasteve të COVID-19 dhe sa mund të zgjasë kriza.
Public Health England ka raportuar se pandemia mund të vazhdojë gjatë vitit të ardhshëm, sipas The Guardian.
Qendra e SHBA-ve për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve gjithashtu kanë përshkruar një skenar të rastit më të keq me qindra miliona raste përgjatë më shumë se një viti.
Sidoqoftë, shumica e njerëzve që do të infektohen me COVID-19, nuk do të kenë simptoma të rënda.
Marrë nga: pinkadvocate.com